Në vazhdim të gjyqit të Gisèle dhe Dominique Pelicot në të cilin ku i fundit akuzohet se ka lejuar dhjetëra burra të abuzojnë me bashkëshorten e tij për 10 vjet, është dhënë edhe dëshmia e 71-vjeçarit.
Ndërsa u ngjit në podiumin e gjykatës në Avignon të Francës, Dominique iu drejtua fillimisht fëmijëve të tij. Ai tha se kjo është hera e parë që i sheh pas 4 vjetësh. “Kuptova se i lëndova, por jo deri në këtë pikë. Këmbëngul që s’i kam prekur kurrë fëmijët apo nipërit e mi. I kam gjithnjë në zemër”, u shpreh ai me zërin që i dridhej.
Më pas iu referua edhe provave të Gisèl duke thënë se “ajo është e fortë, i mban të gjitha brenda”.
Pelicot i rrëfeu gjykatës abuzimin seksual dhe traumën e pësuar në fëmijëri, por theksoi se këto përjetime “nuk justifikojnë asgjë”. “Kjo më theu. Zgjati gjithë jetën”. Ai shtoi se donte t’i kontrollonte gratë. “Ky është motivi im. Mund të bëni ç’të doni me të”.
Avokatja e ish-gruas e pyeti për fotografitë në kompjuterin e tij ku shihet e bija, Caroline që është e zhveshur dhe pjesërisht e mbuluar.
“Mund t’ia them duke e parë drejt e në sy, nuk e preka kurrë”, tha ai duke iu drejtuar së bijës në sallë: Caroline, s’të preka kurrë”. Kjo e fundit iu kundërpërgjigj me të bërtitura: “Ti po gënjen. Jam lodhur nga gënjeshtrat e tua. Je i vetëm në gënjeshtrat e tua, do të vdesësh duke gënjyer”.
Një nga avokatët mbrojtës e pyeti 71-vjeçarin nëse kishte droguar ndonjë prej 50 të pandehurve, pasi tashmë ka pranuar se ka bërë të njëjtën gjë me ish-bashkëshorten. Pas disa përpjekjesh, ai u shpreh: “Më fal, por vetëm disa kanë thënë që i kam droguar. Nëse do ta bëja këtë, pse mos t’ua bëja të gjithëve?”
Pyetjet vijuan edhe për pjesëmarrjen e të panderhurve në përdhunimin e shumëfishtë ndaj ish-gruas së Pelicot dhe për pretendimet që ata kanë se janë droguar ose manipuluar, çka 71-vjeçari u përgjigj se arsyeja ishte “për të shpëtuar veten”.
Pelicot pranoi se e drogonte të shoqen me pilula gjumi përmes ushqimit.
Në një moment më të hershëm të gjyqit, Gisèle u shpreh se Dominique ishte “dirigjenti” i situatës. Për këtë ai tha: “Të jem i sinqertë, nëse të pandehurit e tjerë s’do të ishin këtu, nuk do të isha as unë”. Ai mohoi kategorikisht manipulimin e të pandehurve.
Por pse nuk i fshiu fotografitë inkriminuese? “Doja t’ia thosha gruas sime… nuk kisha kurajë pasi nuk doja të humbisja gjithçka”.
Disa javë më parë, një prej avokatëve tha se “përdhunimi s’është gjithnjë përdhunim”. Por ndryshe nga avokati, Pelicot e kishte mjaft të qartë konceptin pasi në raportin policor ishte shprehur se përdhunimi është “marrëdhënie seksuale pa dijeni, pa miratim”. Në gjykatë u pyet për konceptin e miratimit duke e përkufizuar “kur ke pëlqimin e personit me të cilin dëshiron të bësh diçka”.
Më tej, 71-vjeçari foli edhe për faktin që e dinte se policia do të vinte një ditë por ndërkohë vazhdonte të thërriste burra të tjerë që të abuzonin me të shoqen në shtëpinë e tyre.
“E dija që gjithsesi isha një i vdekur që ecte kështu që vazhdova”. Ai ishte i shqetësuar se mos “e kërcënonin” nëse e anulonte. Në këtë moment të deklaratës, pati edhe reagime nga të pandehurit pasi disa prej tyre ofshanë.
Në fund, avokati e pyeti nëse ka “mbetur ende mirësi” tek ai. “Shpresoj”, tha Pelicot. Më tej ai shtoi: “Ka pasur dy perëndi në jetën time: nëna ime për 18 vjet dhe gruaja për 50 vjet”.
Seanca është mbyllur dhe do të vijojë sërish të mërkurën ku Dominique do të përballet me pyetje të tjera. Pelicot i ka pranuar të gjitha akuzat ndaj tij dhe do të dënohet më 20 dhjetor. Edhe të pandehurit që do të shpallen fajtorë do të dënohen në të njëjtën ditë./tvklan.al