Pas 10 javësh, gjyqi i  përdhunimit të 72-vjeçares Gisèle Pelicot i cili ka shokuar Francën, ka hyrë në fazën e mbylljes. Pjesa e mbetur e 50 të pandehurve do të ngjiten në podium për të dhënë dëshmitë e tyre.

Ish-burri i Gisèle, Dominique Pelicot ndodhet gjithashtu në sallë përballë saj, dy djemve dhe bashkëshorteve të tyre.

Nga 50 dëshmitarët, i fundit ishte 62-vjeçari Philippe L. Ai tha se u kontaktua nga Dominique pasi kishte postuar në vitin 2018 në një faqe interneti tashmë të mbyllur, Coco duke u shprehur se kërkonte një “grua me fantazi erotike”.

Dominique Pelicot i tha se ai dhe gruaja e tij ishin të interesuar, ndaj Philippe shkoi në shtëpinë e tyre.  Ai u takua me Dominique që i tha se e shoqja do të ishte në gjumë pasi kishte pirë pilula si pjesë e një loje seksi dhe e nxiti që të kryente akte me të.

Philippe tha se ishte “i habitur” nga situata dhe “hezitoi”, por Dominique nguli këmbë që të vazhdonte ndërveprimin seksual.

Gjatë gjyqit, u lexua një përshkrim shumë i detajuar i videos së këtij episodi përdhunimi ndaj Gisèle Pelicot teksa ajo ishte e pavetëdijshme.

Philippe s’e pranoi përdhunimin dhe tha se e kuptoi që situata ishte “e dyshimtë” ndaj vendosi të vishej e të largohej kur Gisèle nisi të lëvizte dhe burri i  saj dukej “nervoz”. Një nga avokatët e saj përmendi një dëshmi të 62-vjeçarit kur ai u thirr nga policia në vitin 2021 dhe i tregoi videon e përdhunimit ku Gisèle Pelicot dëgjohej qartazi duke gërhitur.

Asokohe, Philippe  i tha policisë: “Mund t’ju them se në atë moment ndodhën gjëra shumë të këqija në trurin tim… truri im reagoi shumë vonë dhe nuk reagova në mënyrën që duhet të reagojë një burrë”. Më pas ai shtoi: “E lashë ndërgjegjjen mënjanë… po mendoja me organin tim seksual në vend të trurit”.

Pasi u pyet nga avokati nëse kjo mund të falej, Philippe u përgjigj: “I shpreh pendesën time znj. Pelicot… e kuptova pasi hyra në burg që duhej të kisha bërë diçka”./tvklan.al