Asaf Ronel – “Haaretz”

Trajnimi policor në Holandë nuk përfshin trajtimin e politikanëve të huaj të zemëruar që rreken të arrijnë në konsullatën e vendit të tyre në Roterdam për të marrë pjesë në një miting, mbajtja e të cilit është ndaluar nga qeveria holandeze. Megjithatë, mungesa e një trajnimi të tillë nuk bëri që policët, të cilët ndaluan ministren turke të Familjes, Fatma Betul Sayan Kaya, të humbnin qetësinë e tyre holandeze. Por, në kontrast me policët që rrethuan konsullatën turke, liderët e Holandës e patën të vështirë të ruajnë qetësinë në përgjigje të provokimit turk, duke rënë kështu në lojën e Erdoganit.

Arsyeja zyrtare për vendimin për të ndaluar mbajtjen e mitingut në mbështetje të ndryshimeve kushtetues në Turqi, ndalimin e uljes së avionit të ministrit të Jashtëm turk dhe arrestimin e ministres turke të familjes afër konsullatës në Roterdam, ishte parandalimi i kërcënimit të sigurisë kombëtare dhe shmangia e tensioneve mes mbështetësve të Erdoganit dhe kundërshtarëve në tokën holandeze. Holanda po ashtu shprehu kundërshtimin e saj ndaj aktivitetit politik të zyrtarëve turq në vend dhe shqetësimin për dëmin që do i shkaktohej demokracisë turke nëse ndryshimet e planifikuara (kushtetuese) nga Erdogani miratohen.

Mirëpo, Kryeministri holandez po ashtu pranoi se arsyeja kryesore pas qëndrimit të ashpër që morën ndaj Turqisë ishte se Holanda “nuk dorëzohet para kërcënimeve” të tilla si ato të shqiptuara nga Ministri turk i Punënve të Jashtme pas anulimit të mitingut që ai synonte të merrte pjesë. Në fakt, duket sikur arsyet që motivuan kryeministrin holandez të reagonte ashpër kundër turqve kanë të bëjnë me politikën e brendshme holandeze dhe zgjedhjet që do të mbahen më 15 Mars.

Mark Rutte, kreu i partisë së krahut të djathtë që shpreson të ruajë karrigen e kryeministrit, prej muajsh është përballur me një rrezik në rritje nga ekstremi i djathtë, ekzaktësisht nga Partia e Lirisë që udhëhiqet nga provokatori Gert Wilders. Rutte ka përqafuar disa prej retorikave të Wildersit në lidhje me emigrantët në Holandë dhe kjo lëvizje e ka ndihmuar atë të ngushtojë diferencën në sondazhet e opinionit publik, e madje t’i japë kryesimin në garë për herë të parë në disa muaj.

Dhe tani vjen Erdogani dhe njerëzit e tij që i japin Rutte-s një mundësi të artë për të treguar sa i ashpër është kundër myslimanëve, por pa dhunuar të drejtat civile apo njerëzore të qytetarëve holandezë që nuk ndjekin rrugën e Jezusit. Wilders postoi një tweet ku u bënte thirrje turqve të ndjekin ministren e dëbuar dhe të largohen nga vend, por Rutte mund të marrë kreditin për qëndrimin e tij të guximshëm përballë liderit shpërthyes në Lindjes së Mesme (Erdogan).

Është vështirë të thuhet nëse qëndrimi i ashpër i Rutte-s do ta ndihmojë atë në zgjedhje apo, sikundër besojnë disa analistë, konfrontimi mes Holandës dhe një qeverie myslimane do të forcojë Wildersin. Është e qartë se duke marrë parasysh hartën aktuale politike në Holandë dhe teksa zgjedhjet afrohen, Ruttes do t’i duhej guxim shumë më i madh për të zgjedhur një qëndrim jo konfrontues, pasi rrezikonte të kritikohej ashpër nda e djathta (ekstreme). Ky do të ishte ekzaktësisht guximi që do duhej të kishte një lider që është vërtetë i shqetësuar rreth demokracisë në Turqi dhe i konsideron ndryshimet e planifikuara nga Erdogani si kërcënim.

Edhe nëse impakti në politikën holandeze i përplasjes turko-holandeze, të cilën media sociale romantikisht e ka cilësuar si “kriza e tulipanëve”, nuk është ende i qartë, nuk ka as më të voglin dyshim se në krahun tjetër ka përforcuar Erdoganin dhe kampin e tij. Dëshmi për këtë është fakti se edhe vetë lideri i partisë kryesore opozitare turke u bëri thirrje turqve që jetojnë në Holandë të demonstronin dhe protestonin ndaj “sulmit holandez ndaj nderit turk.”

Shqipëroi: tvklan.al