Mjafton vetëm një episod për të lënë gjurmë në një ndeshje futbolli. Ernest Muçi shënoi golin e dytë sezonal, por pa arritur të shmang humbjen e Beshiktash në derbin e Turqisë kundër Gallatasaraj. 22 minuta në fushë dhe talenti i kombëtares shqiptare gjeti momentin për të realizuar dhe vulosur rezultatin final në 2-1.
Një gol spektakolar nga ana e Muçit, i cili i befasoi të gjithë duke dërguar një të majtë të fortë nga jashtë zonës. Topi përfundoi në trekëndëshin e portës së Muslera, gjithsesi i pamjaftueshëm për t’i dhënë udhë tjetër këtij 90 minutëshi.
Performanca e ish-talentit të Tiranës u vlerësua me notën 7.2, duke qenë edhe ndër më të mirët në fushën e lojës për Beshiktash. 23-vjeçari ka shënuar dhe asistuar dy herë në këtë sezon në të gjithë kompeticionet, kontribut që e mban skuadrën bardhezi në garë për tituj.
Klan News