Ish-kryeministri Sali Berisha ka njoftuar nga Librazhdi, aty ku po mban foltoren e radhës me demokratët se, numri i firmave të delegatëve që kërkojnë të mblidhet Kuvendi Kombëtar po shkon drejt 5000.
Lideri historik i demokratëve sqaroi ashtu se pse nuk publikohen firmat e delegatëve. Ai u shpreh se Kuvendi i 11 Dhjetorit do të mblidhet dhe do të rivendoset pluralizmi politik.
“Në këto rrethana pengun e urdhëruan që të thërrasë antiKuvendin e datës 18. Dy gjëra dua t’ju sqaroj. Lidhur me firmat jo vetëm që që janë 4200, por e vërteta është që po shkojmë drejt 5000. Po shkojmë. Pse ne nuk i publikojmë? Ka tre pengesa të mëdha ligjore që ato kurrë s’mund të publikohen. E para është ligji i të dhënave personale. E dyta është neni i kushtetutës që mbron të dhënat personale, e treta është Konventa e të Drejtave të Njeriut që nuk lejon publikimin e të dhënave personale. Një gjë të tillë nuk e bëjnë ata që i besojnë shtetit ligjor. Një gjë të tillë e bëjnë vetëm zuzarë që nuk kanë ligj e as moral dhe ne të tillë nuk bëhemi kurrë. Këtë e dinë mirë që të gjithë. Në pushtet kemi ngritur një komisioner për të dhënat personale. Ne nuk përsërisim Edi Ramën. Nuk riprodhojmë patronazhistët e Edi Ramës. Çfarë ndodh? I vini re analistët e tyre që zëvendësojnë mbiemrin e tyre me xhepi, apo që shesin shpirtin gënjeshtrës, deputetë të cilët janë shkëputur tërësisht nga ju, në vend që të shkojnë dhe të marrin çdo formular ta shohin. Deklarojnë se ato nuk janë, kanë frikë dhe tmerr prej tyre. Çfarë është kjo në rrafshin psikologjik. Është frika nga liria, është frika nga e vërteta, është frika nga e cila do t’ çlirojë Kuvendi i 11 Dhjetorit, me rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Avoketërit e Bashës, në fakt më shumë të xhepit të tyre nuk është se nuk e dinë që Basha është njeriu më i pabesueshëm në Shqipëri dhe e kanë të qartë, përpiqen t’ju mbushin mendjen se është betejë mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Absolutisht nuk është betejë mes Sali Berishës dhe Bashës, por betejë e demokratëve idealistë të këtij vendi që janë të vendosur që të kenë një opozitë të vërtetë, të cilët janë të vendosur të rikthejnë PD një forcë vigane, një forcë fitimtare dhe jo një forcë që kalon nga humbja në humbje. Ndaj edhe foltorja, është bërë një ortek i pandalshëm miq. Ju ftoj për një moment të mendoni. Sot jemi në sallë, por sa do jemi nesër në shesh. Pyeteni veten njëherë. Sheshet nuk do të na zenë më. Revolucioni ynë nuk ka të ndalur. Ne do të fitojmë”, tha Berisha./tvklan.al