Miratohet edhe anëtari i 5-të i Gjykatës Kushtetuese
Vetëm pak orë pasi kreu i shtetit dekretoi ndryshimet e propozuara nga Kryeministri Edi Rama në kabinetin qeveritar, Kuvendi i Shqipërisë votoi emrat e ministrave të rinj. Me 97 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenime, Kuvendi miratoi dekretin për emërimin e Blendi Çuçi si Ministër i Brendshëm.
Po me 97 vota pro u miratua dhe dekreti për emërimin e Milva Ekonomit si Ministre e Bujqësisë. Kuvendi votoi po ashtu edhe dekretet për shkarkimin e ministrave ekzistues, ku ai për shkarkimin e Sandër Lleshajt morri dakordësinë më të madhe të deputetëve duke u miratuar me 101 vota pro. Tashmë dy ministrat e rinj duhet të bëjnë betimin para presidentit për të marrë zyrtarisht detyrat e reja.
Në seancën e kësaj të enjteje u miratua me 96 vota pro dhe kandidatura e Altin Binajt si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duke qenë propozim i vetëm i ardhur nga KED dhe që plotësonte kriteret, pavarësisht se ligji e përcakton që për çdo vend vakant duhen të paktën 3 kandidatë.
Me zgjedhjen e Binajt, Gjykata Kushtetuese bëhet me 5 anëtarë, një numër sërish i pamjaftueshëm për të nisur funksionimin. Kjo pasi që kjo gjykatë të funksionojë duhet një kuorum prej 6 anëtarësh, megjithëse vendimet më pas mund të merren dhe me 5 gjyqtarë.
Në seancën e së enjtes u miratuan edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe në 2 ligjet e paketës së Reformës në Drejtësi si pjesë e marrëveshjes së 5 Qershorit e që parashikon hetimin e krimeve elektorale nga SPAK. Parlamenti rrëzoi edhe dekretet e kreut të shtetit për buxhetin e 2021, si dhe atë për Ligjin e Metrologjinë.
Tv Klan