E vendosur prej vitesh në Belgjikë ku edhe ka krijuar familje, Klea Mimini merr vendimin për t’u rikthyer në Shqipëri, saktësisht në Kaninë të Vlorës. Në bisedën me “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Klea shpjegon se ajo bashkëshorti i saj, i cili është belg analizuan argumentet pro dhe kundër, ndërsa prioriteti i tyre kryesor mbetej zhvillimi i vajzës. Për ta Kanina ishte ndërthurja perfekte e afërsisë së qytetit me qetësinë e periferisë.
Klea Mimini: Arsyeja kryesore që ne vendosëm të vinim nga Belgjika për në Shqipëri ishte fakti që donim t’i arratiseshim pak stresit perëndimor, nxitimit, çdo gjë me orar, si tha dhe vajza pak më parë, ne këtej nga jugu, në zonat pak më të ngrohta, lëshojmë pe më kollaj. “Semafori është i kuq, nuk ka shumë makina kështu që unë po kaloj” ndërsa në Belgjikë çdo gjë është shumë e rreptë, çdo gjë është me pikë në fund dhe atij fakti donim t’i arratiseshim pak.
Sa i përket bashkëshortit, Klea shton se ndryshe nga ç’mund të mendohet, shpërngulja ka qenë më e lehtë për të.
Klea Mimini: Në fakt ishte krejt e kundërta. Të gjithë mendojnë “për ty është kaq e lehtë dhe për atë do të jetë më e vështirë”. Ishte ai që e mori më shumë vendimin, që vendosi shkëndijat e para të zjarrit dhe gjatë gjithë kohës që po merreshim me përgatitjet, ishte ai që ishte më entuziasti, ndërsa unë isha ajo që ishte një hap më mbrapa, jo nuk e di, nuk jam e sigurt pasi ne shqiptarët e duam Shqipërinë shumë por nga ana tjetër nuk është se kemi shumë shpresa në Shqipëri dhe ishte frika që do ecë çdo gjë siç duam, është Shqipëria mjaftueshëm e zhvilluar për nivelin ku kemi arritur ne, për gjërat që jemi mësuar këtu? Ajo do më jepte ndjenjën e të qenit në shtëpi, nëse çdo gjë që dëshirojmë, a mund ta gjejmë këtu?/tvklan.al