Anija ushtarake italiane Libra është nisur sërish drejt Shqipërisë për të sjellë të tjerë emigrantë të jashtëligjshëm në kampin e Gjadrit, por gjykatat italiane i ngritën barriera të reja zbatimit të marrëveshjes Rama-Meloni.

Mediat italiane shkruajnë se disa emigrantë të shpëtuar në ujërat e Mesdheut, pasi ishin nisur nga brigjet e Libisë u ngjitën në bordin e Libras në portin e Lampeduzës. Anija tashmë është rrugës dhe parashikohet që në Shëngjin të mbërrijë brenda të Mërkurës. Është ende e paqartë origjina dhe numri i klandestinëve.

E pasigurtë është nëse ata do të arrijnë të zbresin në Shëngjin, pasi Gjykata e Katanias vendosi kundër dekretit të 21 tetorit të qeverisë Meloni që përfshiu Egjiptin në një listë me 19 vende të sigurta origjine. Kjo gjykatë mori në shqyrtim rastin e një emigranti egjiptian, të cilit i ishte refuzuar azili në Itali dhe vendosi rishqyrtimin e kërkesës së tij me argumentimin se Egjipti nuk është vend i sigurtë origjine pasi atje ka shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Ndërsa Gjykata e Romës, që më 18 Tetor ktheu urgjentisht nga Gjadri në Itali, 12 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi i kërkuan opinion Gjykatës Europiane të Drejtësisë për dekretin Meloni, ashtu siç bëri pak ditë më parë edhe Gjykata e Bolonjës.

Tv Klan