Mungesa e sigurisë së ushqimeve, të cilat i konsumojmë çdo ditë është një ndër problemet e ngritura shpesh në emisonin “Stop”. Më 11 Shtator, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u zotuan për siguri ushqimore pranë shkollave e çerdheve. Ky aksion i nisur në Lezhë, që pritej të përfundonte në muajin Tetor, synon të garantojë sigurinë ushqimore për fëmijet gjatë këtij viti shkollor.

“Do të jetë në vëmendje të posaçme dhe në ditët në vijim, edhe pasi fillon shkolla, në mënyrë që ne të garantojmë sigurinë ushqimore që këto biznese ofrojnë për nxënësit”,

tha Nikolla.

Por në emisionin “Stop” ka mbërritur një video dhe foto, ku shihet qatë që në shkollën “Avni Rustemi” shitësit ambulantë shesin ushqime për nxënësit e kësaj shkolle nga hekurat, si dhe nga dera kryesore e shkollës, të cilat nuk janë të kontrolluara. Madje në pamjet shihet se njëri prej shitësve shet ushqimet për nxënësit, ndërsa tjetri bën rojen. Qytetari, i cili ka nisur videon pranë emisionit “Stop”, ngre pyetjen:

“Ligji fuksionon për të gjithë apo për disa?”

Emisoni “Stop”, në një vëzhgim të bërë pranë shkollës “Ali Demi”, ka arritur të komunikojë edhe me shitësit, të cilët tregtojnë ushqime të ndryshme për nxënësit. Pyetjeve të gazetares nëse ata kanë një licencë për të treguar këto ushqime, ata i janë përgjigjur se asnjë në Tiranë nuk ka licencë për të treguar jashtë.

Gazetarja: E kuptoj shumë mirë që keni dalë për copën e bukës, por unë si prind sa siguri kam në këto ushqime?

Shitësja:

Janë bërë tani, sa janë bërë.

Gazetarja: Kur janë bërë?

Shitësja:

Tani në sekondë janë bërë.

Gazetarja: Po si janë bërë?

Shitësja:

Në kuzhinën aty.

Gazetarja: A keni licencë për të tregtuar?

Shitësi:

Licencë për të treguar jashtë nuk ka asnjë në të gjithë Tiranën.

Emisioni “Stop” do të vijojë ta trajtojë çështjen e sigurisë së ushqimeve, derisa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të marrë masat e duhura për sigurinë e ushqimeve që konsumojmë./

tvklan.al