Dhjetëra makina luksoze të markave më të njohura nga Ferrari, Bugatti dhe Porsche po shfaqen në një ankand në Paris.

Rreth 100 automjete të vjetra u ekspozuan në Grand Palais për kënaqësinë e vizitorëve përpara se ato të shiten.

“Ne arritëm të bashkojmë një numër të caktuar të koleksioneve private që janë absolutisht të jashtëzakonshme, të cilat variojnë nga një Ferrari 166 MM dhe një Ferrari 555 dhe një Ligier JS P2. Ne kemi një larmi të madhe makinash”, thotë drejtori i ankandit.

Organizatorët presin që numri i të apasionuarve pas makinave do të jetë i madh.

“Ka absolutisht çdo lloj koleksionisti dhe është shumë interesante sepse teksa mbajmë këtë lloj ankandi në Grand Palais, shohim që pasioni për automobilat vetëm rritet. Bashkon kaq shumë njerëz, kaq shumë  marka të njohura si Ferrari, Horch, Mercedes dhe BMW. Ajo që i bashkon të gjithë këtu është pasioni për makinat në një nga vendet më të bukura në Paris”.

Dy modele të rralla të Ferrarit  janë ato që dallojnë në këtë ankand, një Barchetta 166 MM e vitit 1950 dhe një Supersqualo 555 e vitit 1955, të dyja me një vlerë që pritet të shkojë nga  4 deri në 6 milionë Euro.

“Ne kemi  makina që me siguri do të pëlqehen nga shumë njerëz, si Bugatti dhe Ferrari. Disa prej tyre nuk kanë një çmim fiks dhe kështu me siguri do të tërheqin shumë koleksionistë. Mund t’ju them se do të ketë luftë midis koleksionistëve që do të duan të bëjnë për vete këto makina të rralla”.

Në ekspozitën e makinave shfaqet edhe një fanellë e veshur nga ylli i futbollit argjentinas Lionel Messi në fillim të karrierës së tij.

“Ne gjithashtu kemi një fanellë të veshur nga futbollisti Lionel Messi në fillim të karrierës së tij, që është e jashtëzakonshme për të apasionuarit pas sportit qoftë, ata pas makinave sportive apo futbollit. Kjo fanellë është diçka e rrallë dhe e çmuar”.

Fanella, e veshur nga Messi në vitin 1999 kur ai ishte në skuadrën e Neëell’s Old Boys përpara largimit të tij për në Barcelonë, do të dalë gjithashtu në shitje online nga 17 deri më 27 Mars.

Pritet të kushtojë të paktën 80,000 Euro.

Klan News