Salman Rushdie tha para një gjykate në New York se mendonte se do vdiste pasi u godit me thikë në mënyrë të përsëritur në skenë 2 vite më parë, duke e lënë të verbër në njërin sy.

Autori i njohur e dha dëshminë e tij në gjyqin që po zhvillohet ndaj sulmuesit të tij të dyshuar, 27-vjeçarit Hadi Matar. Ky i fundit është deklaruar i pafajshëm për akuzat e sulmit dhe tentativës së vrasjes.

Prokurorët, të cilët nuk kanë specifikuar motivin e goditjes me thikë, thirrën Salmanin në gjyq si dëshmitarin e parë duke i kërkuar atij të kujtonte momentet para dhe pas sulmit.

Hadi Matar, i dyshuari për sulmin ndaj Selman Rushdie

77-vjeçari tha se ditën e sulmit ai ishte ulur në skenë gati për t’iu drejtuar publikut në institucionin prestigjioz Chautauqua. Pasi ai bëri prezantimin e tij, vuri re se një person po nxitonte drejt tij nga ana e tij e djathtë dhe e sulmoi.

Salman tha se ndjeu goditjen e parë në nofullën dhe qafën e djathtë dhe mendoi në fillim se ishte goditur me grusht. Pastaj pa gjak që i derdhej mbi rrobat e tij.

“Në atë moment ai po më godiste vazhdimisht, duke më therë me thikë dhe prerë. Plaga me thikë në sy ishte më e dhimshme”, tha autori teksa shtoi se ngjarja ndodhi brenda pak sekondave.

Salman deklaroi në gjykatë se ai u godit gjithsej 15 herë në sy, faqe, qafë, gjoks, bust dhe kofshë. Edhe dora e tij e majtë u godit me thikë kur tentoi të mbrohej.

Autori u sulmua Gusht të 2022-shit, ndërsa ai ishte gati të jepte leksion në New York. Lëndimet rezultuan në dëmtim të mëlçisë së tij, humbje të shikimit në njërin sy dhe një dorë të paralizuar të shkaktuar nga dëmtimi i nervit në krahun e tij./tvklan.al