Rey Manaj vazhdon të bëjë atë që di më mirë në Turqi, të shënojë gola. Sulmuesi shqiptar, ishte sërish vendimtar për Sivasspor-in, në fitoren e radhës në Superligë.

Manaj shënoi golin e përmbysjes në fitoren 4-2 ndaj Adana Demirspor, në transfertë. Vendasit e mbyllën pjesën e parë në avantazh 2-1, ndërsa në të dytën, sulmuesi shqiptar me shokë, përmbysën rezultatin.

Në minutën e 66-të, lushnjari përfitoi nga një top i marrë në zonë dhe me një gjuajtje të menjëhershme e ndali në rrjetë, duke i dhënë avantazhin të tijve. Miqtë shënuan edhe një gol tjetër me Radakovic në minutën e 88-të, për të kompletuar fitoren.

Manaj duket se është kthyer në formë të jashtëzakonshme nga dëmtimi, pasi goli i sotëm, është i treti në dy ndeshjet e fundit. Shqiptari numëron katër gola të shënuar në Turqi këtë sezon. /tvklan.al