Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, ka paralajmëruar se shumica do të votojë pro për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese interpretimin nëse deputetes socialiste Olta Xhaçka duhet t’i hiqet mandati ose jo, siç kërkon opozita.

Raportin e kemi përfunduar dhe nuk dyshoj që është në sistem. Në lidhje me zbatimin apo jo të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, unë besoj që kjo është ezauruar. Ashtu siç thamë edhe në mbledhjen e Byrosë, ne e kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që në momentin e parë kur kemi thënë që shfuqizohen të dy vendimet që janë marrë nga parlamenti në lidhje me papajtueshmërinë apo miratimin e raporteve në lidhje me papajtueshmërinë e deputetes Olta Xhaçka.

Nuk është e vërtetë që ne nuk dolëm në një konkluzion në mbledhjen e Byrosë. Aty e kemi bërë të qartë që pas diskutimeve që bëmë ne do ta çojmë çështjen apo vendimmarjen në Kuvend sepse kështu na detyron Kushtetuta për të marrë një vendim për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Sot do votojmë një projektvendim për të dërguar çështjen në Gjykatë Kushtetuese sipas kërkesës apo sipas procedurës së rrjedhur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Bledi Çuçi sot në Parlament.

Raporti për heqjen ose jo të mandatit të Olta Xhaçkës do të votohet sot në Parlament nëse do t’i dërgohet Kushtetuese për të interpretuar çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes dhe ish-ministres së Jashtme.

Demokratët kërkojnë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë e mandatit të Xhaçkës duke pretenduar se bashkëshorti i Xhaçkës, si investitor strategjik, ka përfituar pasuri publike dhe rrjedhimisht dhe vetë deputetja e qarkut të Korçës, çka bie ndesh me përcaktimet kushtetuese për deputetët.

/tvklan.al