Numri i turistëve nga Maqedonia në bregdetin shqiptar gjatë kësaj vere pritet ta tejkalojë shifrën 300 mijë, që u shënua vitin e kaluar, paralajmërojnë operatorët turistik në Shkup.
Sipas tyre fundi i majit dhe fillimi i qershorit do ta sjellë fluksin e parë të turistëve nga Maqedonia. Bazuar në numrin e deritanishëm të prenotimeve, vërehet interesim të jetë më i madh numri i turistëve në krahasim me sezonin e kaluar kur po ashtu u shënua shifër rekorde.
“Këtë vit ka filluar sezoni edhe herët , ka interesim më të madh se krahasim me vitin e kaluar. Kemi filluar edhe rezervimet e para ti bëjmë. Kryesisht rezervime bëjnë në kohë, do me thënë para kohe bëjnë maqedonasit dhe gjithnjë janë kërkesat për Sarandë.”
Mikpritja shqiptare, bukuritë e bregdetit, investimet e reja që janë bërë në sektorin hotelerik janë shkaqet kryesore që tërheqin turistët nga Maqedonia.
“Shkaku se Shqipëria ka ofruar një siguri të madhe, kushtë të mira edhe vetë njerëzit që nuk e kanë njohur më parë Shqipërinë tani më e kanë mësuar dhe kanë njëfarë sigurie edhe bukuri të detit dhe për atë dhe gjithnjë shtohet më shumë numri i turistëve që duan të shkojnë në Shqipëri.”
Interesimi i madh mbretëron edhe tek shqiptarët e këtushëm të cilët tradicionalisht pushojnë në Shqipëri, por edhe maqedonasit për të cilët vitet e fundit bregdeti shqiptar po bëhet gjithnjë e më atraktiv.
Shqiptarët parapëlqejnë Durrësin, kurse maqedonasit Vlorën dhe Sarandën. Interesimin e turistëve nga Maqedonia s’do mend që e ka shtuar edhe fushata reklamuese e ministrisë shqiptare për Turizëm e cila po transmetohet edhe në televizione në Maqedoni.
Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al