Regjim të vizave mes Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk do të ketë as pas 1 janarit të vitit 2010, kur pritet liberalizimi i plotë i regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë nga ana e Bashkimit Evropian. Kështu sot kanë siguruar zëvendës kryeministri i Maqedonisë Abdylaqim Ademi dhe ambasadori i Shqipërisë në Shkup Arben Çeku, pas takimit të tyre në qeverinë e Maqedonisë. Një ditë më parë edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup demantoi se Komisioni Evropian mund të kërkojë vendosjen e regjimit të vizave nga ana e autoriteteve të Maqedonisë për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Maqedonisë.

Arben Çeku: “Dy vendet tona po shkojmë drejt unifikimit në Bashkimin Evropian dhe drejt një regjimi të barabartë të vizave dhe të komunikimit të tregut. Ne kemi një marrëveshje aktuale të heqjes së vizave midis dy vendeve tona, e cila është në fuqi dhe ajo nuk preket nga liberalizimi i vizave që ka përfituar Maqedonia. Për më tepër që dy vendet tona kanë një stacion të përbashkët. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria shumë shpejt do të jetë po ashtu do të përfitojë liberalizimin e vizave në muajt në vazhdim. Ju e dini që qeveria shqiptare e kryeministrit Berisha e ka dhënë një premtim që liberalizimi i vizave të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Evropian do të ndodhë në vitin e parë të mandatit të saj dhe kjo do të bëhet realitet duke pasur parasysh edhe reagimet e vendeve të Bashkimit Evropian.”

Zëvendës kryeministri Ademi ka siguruar se regjim të vizave nuk do të ketë as për qytetarët e Kosovës.

Abdylaqim Ademi: “Pas liberalizimit të vizave që do të ketë Maqedonia më 1 janar nuk do të vendosen viza, për vende të cilat Maqedonia deri më 1 janar nuk ka regjim vizash, do të thotë as me Shqipërinë, as me Kosovën as me Bosnjën as me ndonjë vend tjetër. Kështu që nuk ka nevojë për komplikime.”

Në takimin e sotshëm  Zëvendës kryeministri Ademi e ka përgëzuar ambasadorin Çeku edhe për procesin e suksesshëm zgjedhor në Shqipëri si dhe për koalicionin  e ri qeveritar. Ndërkaq ambasadori Çeku ka theksuar angazhimin e qeverisë së re të kryeministrit Berisha për të punuar në ndërtimin e rrugës së Arbrit e cila do të lidhë Tiranën me Dibrën me të njëjtin tempo me të cilin u ndërtua edhe rruga Durrës-Kukës.

Arben Çeku: “Ne kishim premtuar që rruga  Durrës-Kukës do të mbarojë dhe më të njëjtin seriozitet themi dhe rruga që do të lidhë Tiranën me Dibrën do të përfundojë brenda afateve që i kemi përcaktuar.”

Temë e bisedimeve mes Zëvendës kryeministrit Ademi dhe ambasadorit Çeku ka qenë edhe implementimi i marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni. Kurse është konstatuar edhe bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve në të gjitha sferat.

Nga Shkupi për tv Klan Isen Saliu./tvklan.al