Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në Athinë ku në mbyllje të axhendës ka zhvilluar një intervistë përballë gazetarit Blendi Fevziu, për emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Gjatë intervistët Rama është ndalur tek situata ekonomike dhe sociale jo të mirë të shqiptarëve në Greqi krahasuar me vendet e tjera ku ka theksuar se gjendja e tyre ekonomike është pjesë e gjendjes ekonomike të përgjithshme të Greqisë. Kryeministri Edi Rama e ka quajtur këtë një çështje të prespektivës greke.
Edi Rama: U përpoqa ta them dhe po e përsëris. Së pari krahasimi i shqiptarëve të Greqisë me të Holandës nuk ka lidhje me çfarë ka bërë shteti shqiptarë, por ka lidhje me Greqinë vetë. Gjendja e tyre ekonomike është pjesë e gjendjes ekonomike të përgjithshme të Greqisë. Greqia sot është një një ringritje dhe vjen nga një traumë shumë e madhe dhe të njëjtin krahasim mund të bëhet midis grekëve dhe italianëve dhe është po ashtu e njëjta gjë. Ka edhe një pjesë këtu duhet t’i ndajmë gjërat se çfarë ka pasur të bëjë me shqiptarët drejtëpërdrejt dhe çfarë shqiptarët kanë përjetuar së bashku me grekët nga kriza. Ne flasim për largimet tona, por po të shikoni Greqia ka pasur një fazë dhe ende sot ka largime të grekëve nga Greqia pra nuk largohen vetëm shqiptarët. Në këtë sens nuk është çështje e prespektivës së parë nga ana e shtetit tonë dhe këtu flas edhe për qeveritë e tjera për të cilat kam rezerva të mëdha, por në aspektin ekonomik dhe social nuk janë fare të qeverive të Shqipërisë pse këtu shqiptarët pësuan atë tronditje që pësuan të gjithë shoqëria greke.
Ndër të tjera Kryeministri Rama u ndal edhe tek çështja e pensioneve ku theksoi se marrëveshja është futur në proces dhe janë ngritur grupet e punës. Rama tha se shumë shpejt do të materializohet një tjetër hap i madh, ai i lejeqëndrimit dhe i shtetësisë si e drejtë natyrale.
Edi Rama: E dyta tek pensionet ne e kemi gjetur Shqipërinë në 2013 me vetëm një njohje dhe sot e kemi bërë një seri njohjesh dhe arritëm të bëjmë një nga dy njohjet më të vështira atë me Italinë. Ka ardhur në pushtet një forcë tjetër dhe është një kryeministër tjetër dhe falë politikës tonë me Italinë dhe falë mënyrës si ne i jemi qasur Italisë morrëm atë që quhej gjëja më e vështirë. Është një barë e madhe financiare për Italinë njohja e pensioneve dhe për të thënë që marrëdhëniet me qeverinë greke dhe kryeministrin Mitsotakis unë mendoj që janë marrëdhënia më produktive që kemi pasur ndonjëherë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kemi marrëdhënie produktive sepse marrëveshja është futur në proces, pra ne kemi filluar kemi ngritur grupet e punës dhe ekspertëve. Ajo është negociatë, është proces dhe asnjëherë grekët nuk kanë pranuar që të ulen në tavolinë dhe të filluar diskutimet. Sa i përket dokumentave shumë shpejt do të materializohet një tjetër hap i madh, ai i lejeqëndrimit dhe ai i shtetësisë si e drejtë natyrale. Kjo është pjesë e strukturës dhe hapsirës së politikës greke ku mendoj që kemi hapur hapësira që nuk i kemi pasur./tvklan.al