Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka zhvilluar një takim në Korçë me 12 prefektët e qarqeve. Në dalje të takimit, ministri ka folur për disa ngjarje të fundit përfshirë edhe për masakrën e Dobraçit.
Hoxha tha se beson se shumë shpejt policia do të publikojë deklarata konkrete për emrat e përfshirë në atë ngjarje.
“Policia, në bashkëpunim me prokuroritë e rretheve gjyqësore dhe SPAK, është duke hetuar të gjitha këto raste dhe ngjarje kriminale që kanë qenë shqetësuese për opinionin publik. Besoj se shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete. Gjithashtu, janë zhvilluar kontrolle, ndalime dhe shoqërime të personave të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë ato në Shkodër. Për emrat, besoj se duhet të presim deklaratat e Policisë së Shtetit, që do t’i bëjnë të ditura shumë shpejt. Unë besoj se shumë shpejt Policia e Shtetit do të publikojë deklarata konkrete për sa i përket emrave të përfshirë në ngjarjen e Dobraçit”, tha Hoxha.
Sa i përket zgjedhjes së shefave të komisariateve ai tha se po vijon procesi dhe shumë shpejt do të njihemi me 48 oficerët që do të drejtojnë komisariatet në të gjithë Policinë e Shtetit.
Një ndër çështjet më të diskutuara është edhe siguria në shkolla. Hoxha u ndal te rasti i fundit në Fier, ku policia arriti ta identifikonte dhe ta zbardhë ngjarjen në kohë të shpejtë.
“Roli i policisë dhe roli i stafit pedagogjik për të pasur një ambient sa më të sigurt është shumë i rëndësishëm. Modeli që ndjekin nxënësit e shkollave është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Për këtë arsye, bashkëpunimi mes familjes, shkollës dhe edukimit që ne i ofrojmë fëmijëve tanë mbetet një çështje që na shqetëson çdo ditë”, tha Hoxha./tvklan.al