Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka ngritur shqetësimin e ndikimit rus në Ballkan nëpërmjet kërcënimeve hibride. Ai theksoi në Komisionin Parlamentar të Dezinformimit se Moska është ndër aktorët kryesorë të fushatave hibride në rajonin tonë . Sipas Ministrit të Brendshëm, vendi ynë është më pak i prekur nga kjo fushatë e Rusisë, ndërsa shtoi se infrastrukturës dezinformuese i janë shtuar portale edhe në Gjuhën Shqipe.

“Shqipëria është më pak e prekur dhe më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Kohët e fundit vlerësohet se infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në Gjuhen Shqipe, vazhdojnë të kenë shikueshmëri dhe lejueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh”.

Kryetari i Komisionit për Dezinformimin, Erjon Braçe, theksoi se është e nevojshme të adresohen boshllëqet ligjore për dezinformimin në internet, në rast të kundërt kjo do të ndikojë në zgjedhje

“Nga Autoriteti Kombëtar i Komuniteteve Elektronike, u evidentua se ka boshllëk ligjor që ky aktivitet të merret me mbylljen e këtyre adresave. Komisioni funksionon mbi bazën e një plani pune, që është publik. Pa u përmbyllur seanca dëgjimore, s’mund të kalonim në adresim të problematikës. Nëse ky boshllëk nuk përmbushet para zgjedhjeve do ketë probleme në financimin fushatave, por edhe sa i takon dezinformimit”.

Për këto ndryshime ligjore ka përfunduar puna dëgjesave publike me institucionet dhe tashmë puna do të vijojë me ekspertët dhe deputetët.

Klan News