Një listë e gjatë e problemeve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë lindin nga problemet që dy shtetet i kanë mes tyre. Në jetën reale qytetarët kanë probleme edhe nëse vendosin të lidhin martesa, të regjistrohen në universitete apo edhe të krijojnë biznes. E ngjashme është historia e Suzana Mariç e cila ka zgjedhur programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës për të studiuar.
Është nga Novi Sadi i Serbisë, por që nga viti 2021 jeton në Kosovë. Suzana Mariç ka zgjedhur programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës për të studiuar. Por përgatitja e dokumenteve për të nuk ishte e lehtë. Mariç madje i ka mësuar shumë mirë edhe marrëveshjet e që nuk po respektohen.
“Dekani i fakultetit më shpjegoi procesin e regjistrimit në fakultet dhe për fakultetin gjithçka ishte në rregull, megjithatë duhej të nostrifikoja diplomën time të shkollës së mesme të Novi Sadit, që të regjistrohesha këtu. Përshembull, dokumentet duhej të ishin të noterizuara, noterët në Prishtinë nuk më pranonin, por duhej të shkoja në Bujanoc, që të mund të dërgoja dokumentet e mia për notifikim. Nuk di më shumë. Më kanë thënë se është një pengesë politike në Serbi, jo këtu, ka reciprocitet.”
Ajo kujton se regjistrimi në fakultet si serbja e pare nga Serbia më shumë ka zgjuar kureshtje dhe habi të studentët e tjerë dhe te profesorët se që është paragjykuar apo nënçmuar. Ndonëse ekspertët e arsimit thonë se marrëveshjet për diplomat po zbatohen pjesërisht, Ministria e Arsimit në Kosovë e as ajo në Serbi nuk i janë përgjigjur pyetjeve të dërguara me shkrim.
E krahas studimeve në Prishtinë, Suzana tashmë ka lidhur kurorë me Gent Sejdiun nga Ferizaj. Të dy familjet fillimisht e pritën me skepticizëm vendimin e të rinjve, por me kalimin e kohës gjithçka është vënë në vendin e vet.
Ajo tregon se martesa e saj me një shqiptar ka sjellur peripecitë e veta sa i përket dokumenteve e që sërish ndërlidhen me marrëveshjet Kosovë-Serbi.
“Kishim, për shembull, probleme për kurorëzim. Vendosëm që të kurorëzohemi zyrtarisht në Kosovë, por jo në Novi Sad, pasi atje në atë kohë nuk pranohej dokumenti i identifikimit nga Kosova. Kemi rregulluar dokumentet në Kosovë. Aktualisht jemi në proces që t’i rregullojmë edhe dokumentet e Serbisë, çka është përsëri një problem i madh, pasi bashkëshorti është i lindur në Gjermani, në vitin 1998. Ai nuk është fare në sistem të Serbisë, prandaj duhet së pari të regjistrohet në sistem, dhe kjo sigurisht do të zgjasë një vit apo dy, përmes procedurave gjyqësore dhe të gjitha, që ai të mund të marrë një letërnjoftim , dhe kështu të mund të martohet me mua në Novi Sad, sepse, edhe pse jemi të martuar në Kosovë, ajo nuk pranohet në Serbi.”
Se ky çift duhet të ketë dy kurora për të rregulluar dokumentet edhe në Serbi e konfirmon edhe Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Beograd.
“Nëse çifti martohet në sistemin e Kosovës, kjo certifikatë nuk është e vlefshme në sistemin serb dhe ndoshta do të duhej ta bënin përsëri në Serbi’ thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij komiteti.
Ndryshe nga Maric e cila fillimit kishte vizituar disa herë Kosovën për të vendosur që pastaj të zhvendoset këtu, Ermir Idrizaj nga komuna e Istogut ka dy vjet që jeton në Beograd. Megjithatë në një konkurs që kishte parë për një kompani të marketingut në Beograd, ndonëse i ri, ende pa mbushur 22 vjeç ai vendosi të aplikojë.
“Kam pas dëshirë të shoh Beogradin, si është kultura, në këtë aspektin urrejtja, politika që kanë ndikuar. Këto më kanë shtyrë të vij këtu.”
Ai erdhi me shumë kureshtja në Beogradi nisi punën dhe u sistemua në një banesë me qira jo shumë larg vendit të punës.
“Ditët e para kur kam treguar që jam i Kosovës, më kanë mirëpritur, kemi fol, jemi shoqëruar.”
Nuk dihet saktë numri i shqiptarëve që pas luftës kanë vendosur të jetojnë në Beograd.
Idro Seferi, gazetar: Nuk është ndonjë vend që vijnë shumë punëtorë. Çdo lëvizje në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, shihet me paragjykime, me frikë.
Klan News
Ky material është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e videos është përgjegjësi vetëm e Blerta Dalloshi Berisha dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian