Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Mazhoranca socialiste nuk ndryshon qëndrim në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor parlamentar anti-Rama. I mbledhur jashtë radhës, grupi parlamentar socialist ka rikonfirmuar votën kundër ngritjes së komisionit anti-Rama. Ndërsa me lidhjen që Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, i ka drejtuar partive politike për çështjen e komisionit Rama, kryetari i grupit socialist Gramoz Ruçi thotë, se kjo është një kërkesë anti-kushtetuese e presidentit, e cila nuk merret parasysh nga mazhoranca socialiste.

Gramoz Ruçi:- “Thelbi i kërkesës së presidentit ishte fjalia, që PS të ndryshojë qëndrimin, e PD të ndryshojë formulimin. E parë dhe e gjykuar në kontekstin e kësaj fjalie, gjykoj që presidenti i ka tejkaluar kompetencat e veta, nuk është presidenti që gjykon, lidhur me kompetencat e grupit parlamentar të PS, nëse Parlamenti, pas marrjes së një vendimi, të cilin ende se ka marrë. Presidenti ka të drejtën kushtetuese t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, si i vetmi institucion, që bën interpretimin përfundimtar të kushtetueshmërisë, të veprimit të një institucioni siç është Parlamenti”.

Deputetët tregojnë, se në mbledhjen e sotme u është përsëritur këshilla për të qenë pjesëmarrës në seancën e pasdites, ku do të kalojë edhe njëherë ngritja e komisionit hetimor anti-Rama./tvklan.al