Kredia 250 milionë eurosh e siguruar nga Ministria e Financave është një certifikatë e vërtetë besimi e tregjeve ndërkombëtare dhe tregon, se ekonomia shqiptare është solide. Kështu deklaroi kryeministri Berisha në mbledhjen e radhës së qeverisë, ku gjithashtu iu kundërpërgjigj deklaratave të opozitës në lidhje me gjendjen ekonomike të vendit, duke thënë se Shqipëria nuk është në krizë.

Sali Berisha: “Në një kohë kur të shumtat qeveri të tjera nuk sigurojnë dot kredi, ministria e Financave e siguroi këtë para së gjithash në saj të besimit të madh që tregu financiar ndërkombëtar ka në performancën financiare dhe ekonomike të Shqipërisë. Kjo kredi, e cila pati një rezonim të fuqishëm dje nga agjencitë më të mëdha të lajmeve dëshmoi dhe një herë se ekonomia shqiptare është solide, parashikimet tona janë se ekonomia shqiptare me sukses do tֽ’i rezistojë krizës ku natyrisht nuk mund të pretendohet që të mos ndikohet nga pasojat e saj.”

Kryeministri Berisha është ndalur edhe në rritjen e pensioneve dhe të rrogave të kundërshtuar shumë nga opozita. Sipas Berishës nga rritja e bërë rreth 175 mijë persona kanë dalë nga varfëria ekstreme.

Sali Berisha: “Ishte shumë e papranueshme kërkesa për mosarritjen e rrogave dhe pensioneve tani si ta kuptoj unë, si mund ta kuptojë qytetari i thjeshtë. Nga një anë bërtet gjithë ditën varfërinë, e shpik dhe e sajon aty ku nuk është. Nga ana tjetër thua, të mos rriten rrogat dhe pensionet.”

Sipas kreut te qeverise edhe të ardhurat vjetore në katër muajt e parë janë rritur me 10%  duke i krahasuar më të ardhurat vjetore të vitit te kaluar.

Sali Berisha: “Në tërësi ka vështirësia të mëdha buxhetore kudo, kjo qeveri nuk përjeton as edhe një vështirësi buxhetore. Të ardhurat 4 mujore janë rreth 10% më shumë, më të karta se sa të vitit të kaluar. Pra jo që nuk ka rënie të të ardhurave, por ka rritje në raport me vitin më të fuqishëm të rritjes ekonomike që ishte viti 2008.”

Në mbledhjen e qeverisë Berisha është ndalur edhe në propozimin e bërë nga ministri i drejtësisë për mbrojtjen e gjyqtarëve të gjykatave të larta. Në fjalën e tij Berisha ka deklaruar se qeveria do të ofroj të gjithë ndihmën e nevojshme për këta njerëz që përballen me krimin. 

Po kështu, në këtë mbledhje qeveria ka miratuar edhe një hua për Bashkinë e Tiranës.

Bëhet fjalë për një marrëveshje me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit të zhvillimit të rrugëve të kryeqytetit. Ky vendim mundëson financimin e projektit të rikonstruksionit dhe zgjerimit të urës së Lanës, pranë shkollës teknologjike si dhe ndërtimin e qendrës së Kontrollit pranë Bashkisë së Tiranës./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi