Maqedonia votoi sot në zgjedhjet presidenciale dhe lokale. Qendrat e votimit u hapën kryesisht në orën 7 të mëngjesit dhe janë mbyllur në orën 19. Të drejtën e votës e kishin afro 1.800 votues.
Procesi i votimit kryesisht ka shkuar i qetë pa incidente. Megjithatë për shkak të motit të keq dhe bllokimit të rrugëve procesi nuk është zhvilluar në 103 qendra. Me vonesë votimi ka nisur në një vendvotim në Ohër, në Zhelinë dhe në dy vendvotime në komunën e Prilepit.
Në komunën e Sarajit, në dy vendvotime është dërguar material i gabuar zgjedhor. Zgjedhjet për president për herë të parë janë mbajtur sipas kodit të ri zgjedhor. Në garën presidenciale janë shtatë kandidatë, mes të cilëve tre shqiptarë, Imer Selmani nga Demokracia e Re, Mirushe Hoxha nga PDSH-ja, Agron Buxhaku nga BDI-ja, ndërsa kandidatët maqedonas janë Gjorge Ivanov nga VMRO-DPMNE-ja, kandidati i pavarur Lube Boshkoski, Lubomir Fërçkovskit dhe Nano Ruzhin nga PLD-ja.
Sondazhet më të fundit thonë se kandidati i VMRO-DPMNE George Ivanov mund të marrë 25 % të votave, Ljubomir Frckovski 12.7% , ndërsa Imer Selmani 12.6%.
Nëse asnjëri nuk e merr shumicën e nevojshme, pas 14 ditësh do të organizohet raundi i dytë në të cilin do të shkojnë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Pasi hodhi votën e tij Ivanov tha se e ardhmja evropiane e Maqedonisë varet nga këto zgjedhje ndërsa kandidati shqiptar Imer Selmani u shpreh i bindur për heqjen e barrierave etnike dhe për fitoren e më të mirit.
Presidenti Branko Crvenkovski shprehu besimin që pasardhësi i tij do të angazhohet sinqerisht në zgjidhjen e konfliktit me Greqinë. Zgjedhjet e sotme konsiderohen si më të ndërlikuarat që ka pasur ndonjëherë Maqedonia. Banorëve të Shkupit, u është dashur të plotësojnë edhe dy fletëvotime më shumë: një për prefektin dhe një për këshillin e qytetit.
Shqiptarët presin të fitojnë postet e prefektëve në Tetovë, Gostivar, Dibër të Madhe, në Çair të Shkupit, mbase dhe në Strugë, si dhe në disa komuna rurale. Ky proces u ndoq nga afro 7 mijë vëzhgues vendor dhe të huaj. Rreth 8500 policë u angazhuan për të garantuar ecurinë e qetë të këtij procesi./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle