Vetëm pak orë nga mbyllja e procesit të votimit, policia e Tiranës deklaron se janë marrë të gjitha masat për të garantuar një proces me standard të rregullt ligjore dhe larg incidenteve.

Tonin Vocaj: “Duke përjashtuar një rritje tensioni rreth orës 10-12 për problemet që kanë patur vetë komisionet brenda. Nuk janë shënuar incidente apo ngjarje të rënda ku ka qenë e nevojshme që të përfshihet policia e shtetit.

Kamera e Tv Klan ka hyrë pak minuta më parë në ambientet e brendshme të drejtorisë së policisë Tiranë, ku në gjendje gatishmërie janë mbi 1200 forca policie.

Anduena Llabani: “Salla operative e emergjencave. Këtu ndalohet hyrja, por për momentin ne do të hyjmë të shikojmë se çfarë po ndodh dhe sigurinë publike në të gjithë KZAZ apo edhe rendin në përgjithësi në Tiranë.”

Në sallën operative  mësojmë së gjatë gjithë ditës nuk janë shënuar incidente. Informacionet operative flasin vetëm për një rast zjarri pranë ish-ambasadës jugosllave si dhe problem me qarkullimin e parregullt nga qytetarët. Grupet e hetimit të veprave penale qëndrojnë në gatishmëri brenda ambienteve të policise.

Anduena Llabani: “Ndodhem në drejtorinë e qarkut të policisë Tiranë, ku të gjitha forcat policore janë të angazhuara dhe të mbyllura, të kyçura në njëfarë mënyre brenda ambienteve të drejtorisë së policisë apo të komisariateve në qarkun e Tiranës.”

Tonin Vocaj: “Në vazhdim policia e Tiranës që më përpara ka programuar masat e saj për të garantuar lëvizjen normale dhe ligjore të kutive të votimet për në vendet e numërimit të votave. Për këtë kemi plane të parapërgatitura, janë për përcaktuar dhe të trajnuar dhe të instruktuar të gjithë punonjësit e policisë, kemi marrëdhënie bashkëpunimi të shkëlqyera me KZAZ-t që janë edhe përgjegjëse për këtë proces dhe ne shpresojmë që do të kemi bashkëpunimin si deri tani të gjithë komisionerëve pa dallim partiak, për të bërë të mundur që kutitë e votimit ti çojmë normal dhe të pacenuara në vendet e numërimit të votave.”

Grupi i drejtimit dhe menaxhimit të situatave parashtron të njëjtën panoramë./tvklan.al