Shqiptarët duhet të presin deri në një afat të caktuar që Bashkimi Evropian të hapë dritën jeshile për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Qeveria aktuale ishte zotuar që negociatat me Brukselin të mbylleshin gjatë presidencës 6 mujore irlandeze të Bashkimit Evropian, por vetë ambasadorja e këtij shteti të largët ka shuar edhe njëherë shpresat e Tiranës zyrtare. Jo vetëm kaq, por ministrja e Integrimit Ermelinda Meksi nuk ka dhënë shpresa as për 6 muajt e ardhshëm kur do të jetë Holanda në krye të punëve në zyrat e Brukselit. Meksi theksoi se nuk ishte ajo që e deklaroi si afat për mbylljen e negociatave me Bashkimin Evropian presidencën irlandeze e cila nisi në muajin janar dhe u mbyll në qershor të këtij viti.

Ermelinda Meksi: “Unë besoj s’kam bërë kurrë të tilla deklarata, sepse nuk e kam konsideruar asnjëherë këtë proces qëllim në vetvete dhe problem datash.”

Ndërsa nuk ka pranuar të japë afate për procesin e integrimit, ministrja Meksi ka pranuar faktin se realizmi i zgjedhjeve parlamentare, duke respektuar standardet, mbetet kushti kryesor për zyrtarët shqiptarë.

Ermelinda Meksi: “Zgjedhjet, ne sigurisht duhet të pranojmë, janë pjesë e standardeve që Shqipëria duhet të arrijë ashtu sikurse duhet të kuptojmë dhe vështirësitë që Shqipëria ka, si në të gjitha sektorët, edhe me zgjedhjet, me listat e votuesëve.” /tvklan.al