Drejtësia italiane ve zyrtarisht nën hetim kryeministren Giorgia Meloni, pasi dyshohet se urdhëroi në mënyrë të kundërligjshme riatdhesimin e një zyrtari të lartë të Libisë, i shpallur në kërkim për krime lufte me urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Osama al-Masri u arrestua më 19 Janar në Torino, ndërsa Meloni nënshkroi dëbimin e tij nga Italia si emigrant i jashtëligjshëm dhe riatdhesimin më 21 Janar. Al-Masri është në kërkim ndërkombëtar, pasi akuzohet për tortura, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në burgun libian të Mitigës, të cilin e drejton prej 2015-ës.

Përmes një videomesazhi, kryeministrja italiane tha se vënia nën hetim nga drejtësia italiane nuk ishte gjë tjetër veçse një shantazh nga kundërshtarët politikë, të cilët janë nismëtarë të kësaj çështjeje. Sipas Melonit, para se të mbërrinte në Itali, Al-Masri ka udhëtuar në të paktën 3 vende europiane, të cilat njohin juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, por asnjë nuk e ndaloi.

Krahas Melonit, nën hetim është vënë edhe ministri i Drejtësisë, ai i Brendshëm dhe shefi i kabinetit të Kryeministres për çështjet e zbulimit.

Tv Klan