Shqipëria, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar marrëveshjen për të nisur investimin për linjën nënujore të shpërndarjes së energjisë që do të kalojë në Detin Adriatik.

Marrëveshja është nënshkruan në Abu Dabi, në prani të kryeministrit Edi Rama, homologes së tij italiane Giorgia Meloni dhe Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed. Kjo marrëveshje vlerësohet si investim për rritjen e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme, një hap që shkon në drejtim të planit ambicioz të qeverisë për ta kthyer vendin në eksportues neto të kësaj energjie.

Çka u theksua dhe nga kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur në Samitin Global të Javës së Qëndrueshmërisë, që po mbahet në Abu Dabi.

“Më lini t’iu informoj se prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri është ndërkohë që flasim 100 % nga burime të ripërtëritshme. Përqindja e energjisë së përsëritshme të Shqipërisë në kërkesën fundore për energji është 44 %. Kjo e bën Shqipërinë pjesë të vendeve që janë në krye të listës së vendeve europiane dhe bashkë me vendet skandinave kur vjen fjala për përqindjen e energjisë së përtëritshme, pra për numrin për masën e kësaj energjie, për kërkesën fundore për energji”. 

Për Ramën, investimet në energji janë investime në paqe dhe stabilitet.

“Partneriteti i Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin energjetik është shumë i rëndësishëm për një rajon ku shumë luftëra, shumë konflikte, gjakderdhje shumë keqkuptime i kanë dhënë formë tashmë të shkuarës sonë dhe ku bashkëpunimi dhe dëshira e përbashkët për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane duhet mbështetur në nisma konkrete dhe me hapa konkrete për të kapërcyer të shkuarën”. 

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, po ashtu i vlerëson investimet e kësaj natyre të rëndësishme për të ardhmen e rajonit të Ballkanit.

“Italia është e lidhur në mënyrë tradicionale me Ballkanin Perëndimor, siç tregon dhe miqësia ime me kryeministrin Edi Rama dhe përgjatë kohës ka sjellë po kështu si rezultat edhe projekte në infrastrukturën energjetike. besojmë fort te ky projekt që përfshin tre qeveritë tona, dhe jam personalisht krenare për këtë nismë sepse tregon në mënyrë të prekshme forma të reja bashkëpunimi, të cilat mund të ndërtohen edhe midis partnerëve në dukje të largët. E dimë që jetojmë në një epokë posaçërisht komplekse, shënjuar nga transformime vërtet të forta. Tashmë kemi një zgjedhje për të bërë, ose mund të vuajmë nga këto transformime, duke qëndruar pa bërë asgjë, apo mund t’i interpretojmë ato si mundësi”.

Përpara samitit, Rama ka gjetur kohë jo vetëm të urojë Giorgia Melonin që këtë 15 Janar feston ditëlindjen e 48-të, por dhe t’i dhurojë një shall të prodhuar me porosi, ku të stampuara janë foto të Marubit.

Në pamjet e publikuara nga mediat italiane, Rama i tregon Melonit se u ka folur gazetarëve italianë për dashurinë që ajo ka për ta dhe u kërkoi t’i këndonin këngën e ditëlindjes kryeministres së tyre.

Tv Klan