Zgjohet në orën 05:00, shpesh herë vesh dhe çizme dhe përshkon një rrugë 20 km çdo ditë për në fshatin Vodicë të Ersekës. Është ky mësuesi i jashtëzakonshëm Kastriot Aliko, i cili bën gjithë këtë sakrificë për një nxënës të vetëm! “Edukoj vetëm një nxënës me aftësi ndryshe, i spektrit autik. Në një shkollë të hershme”, tregoi ai sonte në “Opinion”.

Përpos terrenit të vështirë e kushteve të motit, ai rrëfeu se merr përsipër edhe një rrezik jo të lehtë për të shkuar te vendi i tij i punës.


“Shi në borë, duhet të shkoj në destinacion çdo ditë, plus edhe rreziku nga kafshët. Itenerari që përshkoj unë, ka kope me bagëti. Janë qentë e padashur ta hiperbolizoj, një radhë hipa në pemë sepse më erdhën qentë dhe zakonisht merrja nga ato kërcaskat që i hidhja për t’i trembur. Është dhe për të qeshur, por ky është realiteti.”

“Kam studiuar në Gjirokastër ciklin e ulët, më pas Gjuhë Letërsi. Masterin…Kam dy çuna që banojnë këtu në Tiranë, njëri ka mbaruar Akademinë e Arteve ndërsa tjetri vazhdon për Inxhinieri elektronike në master”, shtoi Aliko.

Ka 36 vite në arsim dhe gjëja e vetme që e ka shoqëruar gjithnjë ka qenë pasioni për punën. “Edhe pse është një fëmijë, më fal shumë kënaqësi. Herë më thotë o Kaçi si je, herë më thotë o mësues”, tha Aliko.

Me këtë histori gati të pabesueshme dhe për t’u admiruar, Aliko e meriton denjësisht të jetë në listën e 11 personazheve të këtij viti.

/tvklan.al