Presidenti Ilir Meta ka dërguar në SPAK ligjin për metrologjinë. Përmes një letre dërguar Prokurorisë së Posaçme dhe kryetarit të Kuvendit thotë se ligji është me përmbajtje të lartë antikushtetutshmërie, me parashikime në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues.

“Ky akt duket se synon të ligjërojë një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte privat, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror”, thotë në letrën e tij Presidenti Meta.

Ligji sipas Metës shmang konkurrencën e lirë, dëmton interesin publik; cenon interesat e shtetasve dhe të konsumatorit; cenon financat publike; krijon shteg për abuzim me të drejtat e konsumatorit në tërësi; mbart rrezikun e prodhimit të kostove shtesë për një shërbim që duhet të kryhej nga shteti; ligjëron ekskluzivitetin e ushtrimit të shërbimeve publike nga subjekte të caktuar privatë duke krijuar vetë ligjvënësi monopole, në cenim të tregut të lirë e konkurrues; është tregues se si ligjvënsi nuk ushtron më veprimtarinë dhe vendimmarrjen në mbrojtje të interesit publik, por është orientuar në mbrojtje të një pakice subjektesh private.

Një javë më parë, kreu i shtetit ktheu për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj.

“Ky parashikim kushtetues, nuk mund të përdoret kurrësesi si një “strehë imunitare” për veprimet e tjera të ndëshkueshme penalisht të kryera nga administrata, anëtarët e qeverisë dhe anëtarët e Kuvendit, që i paraprijnë apo e bashkëshoqërojnë miratimin e një ligji”, thotë Presidenti në letër./tvklan.al