Ministri i Jashtëm Ilir Meta u takua në Bruksel me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin grek Nikolaos Kuntis. Ne takim u diskutuan çështje të aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian apo dhe përmbushjen e kritereve që rrjedhin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Ilir Meta: “Njëkohësisht edhe vendosmërinë për tu përqendruar akoma më shumë në zbatimin e atyre strategjive aq të rëndësishme që ne tashëm kemi miratuar, siç janë ato për luftën kundër krimit të organizuar apo kundër korrupsionit dhe vendosmërinë e qeverisë për të shënuar një progres të rëndësishëm në të gjitha reformat që kanë të bëjnë në forcimin e ligjit, në forcimin e sigurisë në vend, të kontrollit të kufijve dhe në përgjithësi me konsolidimin shtetit ligjor. Ka qenë takim sh konstruktiv për arsye sepse vullneti i të dy palëve është për t’i forcuar raportet midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, midis Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian që ka një rol gjithnjë e më të rëndësishëm falë traktatit të ri të Lisbonës.”
Ministri i jashtëm informoi eurodeputetin grek dhe mbi situatën politike në Shqipëri. Meta ripërsëriti qëndrimin e mazhorancës për një zgjidhje ligjore e cila nuk tejkalon kompetencat e sistemit gjyqësor.
Ilir Meta: “Natyrisht që kam shprehur vullnetin qeverisë dhe qëndrimin e saj tepër konstruktiv për të ju përgjigjur të gjitha kërkesave legjitime dhe të arsyeshme dhe konstruktive që vijnë nga opozita, por pa marrë përsipër për të ndërhyrë në vendimet e gjykatave dhe pa cenuar pavarësinë e gjyqësorit që është një nga shtyllat e shtetit të së drejtës i cili na kërkon ët ndërtojmë dhe Bashkimi Evropian.
Eurodeputeti grek theksoi nevojën e një zgjidhje të shpejtë të situatës politike nisur nga nevojat e vendit për integrim europian.
Nikolaos Kuntis: “Puna jone fokusohet në mënyrën sesi Shqipëria po përmbush detyrimet për anëtarësim në Bashkimin Europian. Çështjet politike janë të brendshme dhe i takojnë partive politike. Ne urojme që problemet e brendshme të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe sa më shpejt të jetë e mundur që të mund të arrihen qëllimet e qytetarëve për integrim. Puna dhe dëshira jonë fokusohet në drejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit perëndimor.”
Eurodeputeti grek tha se ministri Meta i paraqiti një situatë objektive të të gjitha zhvillimeve në Shqipëri. Një bazë e mirë kjo sikundër tha Kuntis për një bashkëpunim konstruktiv në të ardhmen. Përfaqësuesi i parlamentit evropian paralajmëroi një vizitë në Shqipëri në fillim të vitit që vjen. /tvklan.al