Ministri i Jashtëm Ilir Meta në konferencën e tij të parë për shtyp ka përshëndetur raportin për zgjedhjet të OSBE-ODIHR, duke garantuar për bashkëpunim të frytshëm me ndërkombëtarët dhe opozitën për reformat në vend.
Sipas Metës, vlerësimet e bëra në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare janë reale.
Ilir Meta: “Qeveria e integrimit europian do të bashkëpunojë ngushtë në të ardhmen me këta partnerë për të adresuar vërejtjet dhe rekomandimet e raportit final të OSBE-ODIHR, në mënyrë që procesi i ardhshëm zgjedhor të jetë tërësisht i standardeve më të larta demokratike, sikur i takon një vendi evropian. Me këtë rast dua të ftoj edhe njëherë dhe sinqerisht opozitën të ushtrojë përgjegjësitë e saj në mënyrë konstruktive dhe atdhetare për reformën e ardhshme zgjedhore.”
Ministri Meta garantoi gjithashtu se do të punohet për të liberalizuar vizat pasi ky është dhe një nga pikat më të rëndësishme të programit qeverisës.
Ilir Meta: “Ne kemi besim të plotë që do të realizojmë liberalizimin e vizave me BE-në sipas edhe objektivave të bëra publike nga ana e qeverisë dhe pa asnjë diskutim që kjo do të ndodhi shpejt.”/tvklan.al
Gazetar: Eno Luarasi