Ndërsa Spanja e ka vendosur integrimin e Ballkanit në një ndër prioritetet e presidencës së saj të Bashkimit Evropian, Greqia dhe Austria i kërkojnë Brukselit që i gjithë rajoni të hyjë në bllok në vitin 2014. Dy ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Austrisë, Dimitrios Droutsas dhe Michael Spindelegg i kanë dërguar një letër kryediplomates europiane Catherine Ashton dhe homologëve të tjerë evropianë ku kërkojnë përshpejtimin e disa hapave që vendet e Ballkanit dhe bllokut duhet të marrin për vitin 2010.
Përsa i përket Shqipërisë, në letër kërkohet rritja e përpjekjeve të bashkëpunimit me komisionin në kornizën e vlerësimit të aplikimit të saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të përmbushen objektivat e mbetura të udhërrëfyesit për heqjen graduale të vizave të Shqipërisë dhe Bosnjës me BE.
Për dy ministrat, integrimi evropian i vendeve të Ballkanit perëndimor duhet të jetë një prioritet i madh i Brukselit. Ai është një garanci e stabilitetit jo vetëm në rajon por edhe në Evropë e për këtë arsye blloku 27 anëtarësh duhet t’i inkurajojë këto të vende ti përmbahen vlerave dhe principeve evropiane. Presidenca spanjolle e BE-së ka vendosur të mbajë një konferencë të nivelit të lartë për rajonin me rastin e 10 vjetorit të samitit të Zagrebit ku do të diskutohet pikërisht për zgjerimin dhe të caktohet viti 2014 si koha e anëtarësimit të tyre në bllok.
Misioni i Greqisë për të ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt bllokut është konfirmuar prej kohësh nga vetë kryeministri grek Papandreu gjatë një takimi me homologun shqiptar Sali Berisha në Prespë./tvklan.al