Pas shqetësimit të Presidentit Bajram Begaj lidhur skandalin e mikrokredive, ka ardhur edhe reagimi i Bankës se Shqipërisë.
Në reagimin e këtij institucioni ritheksohet se Banka e Shqipërisë ka përmbushur kurdoherë misionin e saj kushtetues, ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar të vendit, vlerësuar kjo sistematikisht nga autoritetet më të larta në vend si dhe e materializuar si në Rezolutat Vjetore të Kuvendit të Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë: Me masat dhe veprimet tona ndër vite, ne kemi kontribuar që Shqipëria të përballojë me sukses pasojat e një sërë krizave financiare, kemi mundësuar që brenda dekadës së fundit kredia me probleme të ulet 5 herë duke u vendosur në nivelet më të ulëta historike, kemi përmirësuar drastikisht kuadrin rregullator në funksion të mbrojtjes së konsumatorit duke bërë që interesat për kredinë të ulen me 3 herë brenda 3 viteve të fundit, por mbi të gjitha, kemi garantuar shëndetin financiar të vendit, duke mbajtur të sigurta kursimet e miliona qytetarëve.
Në reagimin e saj, Banka Qendrore nënvizon se një ndër detyrat e saj, ishte licencimi i shoqërive që do të angazhoheshin në blerjen dhe administrimin e kredive me probleme, zgjidhje kjo e cila gjente mbështetje të plotë edhe në parashikimet e Kodit Civil.
Banka e Shqipërisë: Banka e Shqipërisë, në asnjë moment as nuk ka lejuar dhe as nuk ka krijuar paligjshmëri, por vetëm ka përmirësuar më tej kuadrin rregullativ mbikëqyrës për blerjen e kredive me probleme. Nga ana tjetër, ky ishte një format i propozuar dhe mbështetur fuqimisht nga institucionet partnere ndërkombëtare për ta adresuar këtë fenomen, FMN dhe BB, fakt ky i cili u rikonfirmua nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar, në prononcimin më te fundit zyrtar të bërë prej tyre, të pyetur drejtpërdrejt për këtë çështje.
Banka e Shqipërisë, në vazhdimësi ka sugjeruar aksione të bashkërenduara dhe gjykon se është e nevojshme të bëhen ndryshime të mëtejshme si më poshtë.
Banka e Shqipërisë: Kodin e Procedurës Civile për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë.
Hartimin, në bashkëpunim me Bankën Botërore, të një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare çobanka.
Shndërrimin e të gjitha subjekteve financiare jobanka në shoqëri aksionare, me qëllim rritjen e kontrollit të brendshëm dhe organizimin e drejtimit me 2 nivele dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hartimin e një ligji te veçantë për kamatat ligjore për kredinë konsumatore dhe hipotekore.
Banka e Shqipërisë shprehet se ka bashkëpunuar dhe do të vijojë te bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha organet e drejtësisë, për të sqaruar dhe qartësuar çdo aspekt të rolit të saj. Njëkohësisht, mbetet e hapur të japë të gjithë kontributin, informacionin, e sqarimet e nevojshme duke e konsideruar transparencën dhe llogaridhënien e plotë ndaj te gjitha palëve, e veçanërisht publikut.
Klan News