Vetëm një muaj pas publikimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku denoncohen shkeljet e rënda të bëra nga drejtues të Ministrisë së Arsimit gjatë tenderave të zhvilluar për rikonstruktimin e disa shkollave në rrethe të ndryshme të vendit, kreu i kësaj Ministrie ka vendosur të japë një sqarim publik. Ministri i Arsimit Luan Memushi e ka vlerësuar si jo reale raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit publikuar në fillim të këtij muaji.

Luan Memushi: “Si titullar i këtij institucioni denoncoj elementët e pa bazuar të kontrollit të ushtruar në Ministri dhe vetë pjesët e deformuara të këtoj raporti që në disa raste frymëzohen nga interesa me suport të caktuar kompromentus.”

Sipas Memushit, raporti është bërë nga kontrollorë të cilëve i janë prekur interesat personale.

Luan Memushi: “Ne nuk kemi ndërruar mendim që nuk futëm me urdhër të veçantë në Fakultetin Juridik të Tiranës fëmijë të kontrollorëve të lartë të shtetit. Ne nuk kemi ndërruar mendim që nuk zbatuam urdhërat e kontrollorëve të ekipit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për të emëruar jashtë kriterit burrat dhe të afërmit e tyre të paaftë si pedagogë në universitete apo në funksione të tjera të lakmuara jashtë kritereve të konkurrimit.”

Madje dhe fushata mediatike e nisur nga gazeta “Shekulli” për të goditur Ministrinë e Arsimit sipas Memushit, bëhet, sepse nuk i është dhënë firmës “2K” asnjë tender në kundërshtim me procedurat ligjore. Ministri ka deklaruar se të gjithë anëtarët e komisionit të tenderave janë të larguar nga kjo detyrë. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për tenderat e zhvilluar gjatë vitit 2002-2003 Ministria e Arsimit akuzohet për shkelje të rënda që i shkaktoi buxhetit të shtetit me miliona lek humbje. Në bazë të denoncimit të KLSH-së Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për 9 drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit të cilët akuzohen për shkelje në 12 tendera për rikonstruktim shkollash. /tvklan.al