Ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa ka takuar trupat shqiptar paqeruajtës në Afganistan. Kjo shënon dhe të parën vizitë të Oketës në cilësinë e kreut të mbrojtjes në një nga vendet ku trupat e armatosura shqiptare janë ta angazhuara në misione ushtarake.

Ndalesa e parë ishte Herat, ku Oketa u njoh me të gjithë angazhimin e kontigjentit tonë atje. Gjatë takimit kreu i mbrojtjes tha se ftesa për në NATO ishte një arritje historike.

Gazmend Oketa: “Ishte rrjedhojë e besimit të krijuar nga vendet anëtare të NATO-s për reformat në vendin tonë, por njëkohësisht dhe një vlerësim i dukshëm i angazhimit të trupave shqiptare në misionin e paqes në zonat e konfliktit. Një vlerësim i thellë i transformimit që forcat tona ushtarake kanë pësuar gjatë gjithë këtyre viteve.”

Oketa shprehu sigurinë se anëtarësimi i Shqipërisë në aleancë do të mbyllet brenda vitit që vjen në samitin e radhës që përkon me 60 vjetorin e krijimit të NATO-s. Gjatë qëndrimit në Afganistan ministri u ndal dhe në Kabul, ku ndodhet kontigjenti i 6 shqiptar i përbërë nga mjekë dhe infermierë./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi