Në vijim të takimeve të tij në disa komuna të vendit, ministri i transporteve Sokol Olldashi u ndal në fshatrat Ndroq, Vaqarr dhe Pezë Helmës të qarkut të Tiranës.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët Olldashi u shpreh se investimet në infrastrukturën rurale dhe punë publike janë dyfishuar në krahasim me qeverisjen e mëparshme të partisë Socialiste, filozofia e së cilës sipas tij mishërohet tek kryebashkiaku Rama, që është njëherësh edhe kryetar i saj.
Sokol Olldashi: “Ka dy debate kohët e fundit me kryetarin e bashkisë. Debati i parë është për unazën e madhe të Tiranës, bashkia ka financa të menaxhuara keq gjë që e bën të pamundur që të marri kredi nga institucionet ndërkombëtare financiare. Ne i thamë në qoftë se ju nuk keni para i vendosim ne fondet dhe e ndërtojmë ne unazën, hajde ta bëjmë unazën bashkë në mënyrë që Tirana të zhvillohet. Kryetari i bashkisë së Tiranës thotë jo, do ta bëj vetë kur të kem lekë në 2012.”
Sipas ministrit të Transporteve opozita e drejtuar nga Rama është modeli i korrupsionit dhe klientelizmit, në dëm kjo të interesave të qytetarëve.
Sokol Olldashi: “E vetmja opozitë që bëhet është opozita e lejeve të ndërtimit, opozita e 15% që përfundojnë në xhepat e kryetarit, opozita e pengut që po mban Tiranën.”
Më parë Olldashi u takua dhe me banorë të komunës Mbrostar në Fier, ku u shpreh se qeveria do të ruajë ritëm e rritjes së investimeve edhe për katër vitet e mandatit të ardhshëm të saj./tvklan.al