Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Shtohet misteri për autorësinë e dhunës vdekjeprurëse ndaj 17-vjeçarit Rigert Ceku në qelitë e komisariatit të Rrëshenit. Vëllai i Rigertit që ishte në të njëjtën qeli me të dhe që ka marrë pjesë në varrim, tregon se Rigertin e ka marrë policia për hetime, që nga ai moment vëllai nuk di gjë për fatin e të miturit. Por burimet zyrtare të policisë së Rrëshenit thonë, se Rigerti ka rrëshqitur nga pllakat dhe ka rënë në dysheme, ku ka marrë dhe goditjen.

Sipas mjekëve që e kanë pritur të parët djaloshin dhe që u referohen policëve që e kanë çuar në spital, ai është goditur nga shoku i qelisë.

Mjeku: “Ne duke u nisur vetëm nga të dhënat klinike dhe në momentin e dytë kemi pas të dhëna që pacienti ka pasur një grindje në dhomat e burgimit, kemi qenë të mendimit se ky ka hemorragji në tru”.

Ndërsa në kartelën e tij në Spitalin Ushtarak rezulton se ai ka pasur një goditje nga pas veshit që i ka shkaktuar vdekje të trurit. Dje në Rubik është organizuar dhe ceremonia mortore e Cekut. Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë dhe deputeti i zonës Luigj Gjoka. Ai ka dënuar këtë akt të paprecedent.

Luigj Gjoka: “Privimi i lirisë nuk do të thotë privim jete. Është rast i përsëritur, që njerëz që dënohen ose që janë të izoluar nëpër komisariate, ndonjëherë kanë ardhur në shtëpi si të thuash të vdekur dhe kjo përbën një shqetësim të madh për pasigurinë që është në burgje dhe ndërkohë që është një apel për Ministrinë e Drejtësisë”./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj