Nën moton për një Shqipëri Europiane, kryetari opozitës Edi Rama ka prezantuar në qytetin e Lezhës programin e Partisë Socialiste për 4 vitet e ardhshme te qeverisjes.  Duke u fokusuar në prioritetet e këtij programi Rama tha, se objektiv  madhor  i socialistëve mbetet shndërrimi i Shqipërisë, në vendin ku mund të investohet dhe punohet si kudo në Europë.

Edi Rama: “Vota e 28 qershorit është një votë për heqjen e kufijve mes Shqipërisë dhe Europës. Është një votë për tu bashkuar që të gjithë, shqiptarët që jetojnë këtu dhe shqiptarët që jetojnë në emigracion për të njëjtën ëndërr. Për ëndrrën e vjetër  të Shqipërisë zonjë të mërgimtarëve të parë dhe për ëndrrën e re të Shqipërisë si gjithë Europa, të emigrantëve e emigranteve që prej 18 vjetësh mbajnë në këmbë ekonominë e këtij vendi dhe pas 18 vjetësh nuk kanë mundësi të jenë bashkë kur duan dhe si të duan me familjen e tyre. Ne shqiptarët s’jemi as më pak të mençur, as më pak të aftë e të gatshëm për të bërë sakrifica se sa njerëzit e botës së lirë ku duam të integrohemi dhe ku motrat e vëllezërit tuaj, im vëlla emigrant janë qytetar të denjë lirinë, demokracinë, konkurrencën e lirë dhe sfidat e përditshme të botë së lirë.”

Sipas Ramës ndryshimi mes alternativës së Partisë Socialiste dhe qeverisjes së kryeministrit Berisha do të jetë puna për njerëzit dhe jo për intersat e ngushta të politikës se vjetër.

Edi Rama: “Unë nuk do të jem një kryeministër si Sali Berisha dhe si tjerët që janë provuar dhe stërprovuar dhe sot iu kërkojnë përsëri votën megjithëse as nuk dinë, as nuk munden dhe as nuk duan të bëjnë ndonjë gjë ndryshe nga ç’kanë bërë 18 vjet me radhë. Vota për ta është një votë për të krijuar një tjetër qeveri me të njëjtët njerëz, për të njëjtat interesa dhe mes të njëjtave oborreve familjare e klanore. Unë do të jem thjesht kryeministri juaj, një kryeministër për ju dhe një kryeministër me ju për t’iu dhënë së bashku zgjidhje të reja problemeve të vjetra. Për të qenë bashkë me ju, kudo ku janë sfidat dhe duhen përballuar vështirësitë për të bërë së bashku të mundur atë që ne së bashku nuk ka forcë që na pengon ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa.”

Kryetari i Partisë Socialiste u kërkoi qytetarëve lezhjanë  të ndëshkojnë me votë jo vetëm qeverinë e djathtë, por edhe opozitën brenda opozitës që sipas tij mandatet e deputetëve synon t’i kthejë në pazare numrash në parlament.

Edi Rama: “Pas 20 ditësh ju do të keni në dorë një fletë votimi ku do të lexoni emra partish dhe kryetarësh, të njohur, të panjohur, të stërnjohur. Ndërkohë që gjithfarë kandidatësh kanë filluar t’ju trokasin derë më derë. Sali Berisha ua kërkon votën që ju të keni dhe 4 vjet të tjera si këto 18 vjet që po mbarojnë. Të tjerë ua kërkojnë votën, të vetmen votë që keni për një deputet të vetëm që pastaj mandatin e marrë nga ju ta nxjerri në pazarin e vjetër të numrave dhe të interesave personale dhe ju të vazhdoni të shikoni dhe 4 vjet të tjera, të njëjtën shfaqje me qeverinë e marr peng nga një grusht njerëzish për të njëjtat interesa me kurriz kthyer nga ju. Prandaj  jepini fuqi votës suaj, mos e çoni votën tuaj në të njëjtin drejtim ku duan të na mbajnë peng edhe 4 vjet të tjera si këto 18 vjet, por çojeni votën tuaj në drejtim të së ardhmes suaj.”

Rama u shpreh i bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit, ditë që sipas tij Shqipëria do të ndahet nga politika e 18 viteve të shkuara./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro