13 specialistë kanë humbur jetën në Kosovë nga koronavirusi
Që nga fillimi i pandemisë së Covid-19, stafi shëndetësor konsiderohet ndër kategoritë më të rrezikuara pasi kanë kontakt direkt me personat e infektuar.
Sanije Desku, infermiere në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë së fundmi është infektuar me Covid-19 nga pacientët.
Pas një jave trajtimi në Malishevë ajo është detyruar të transferohet në Klinikën Infektive për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Pas ballafaqimit trijavësh me këtë virus tash gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar dukshëm.
“Shumë më mirë jam, s’kam mundur as të ha dhe as të pi. Maska kemi pasur por të thjeshta”.
Ndonëse të pajisur me masa mbrojtëse sfidë për stafin shëndetësor në qendra spitalore është edhe mbajtja e tyre gjatë orarit 8 orësh apo 24 orë gjatë kujdestarisë.
Si për pajisjen edhe për heqjen e tyre duhet ndjekur procedurë e veçantë, në mënyrë që minimizohet mundësia e infektimit. 1300 është numri i profesionistëve shëndetësor të infektuar me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë në Kosovë.
58% e stafit shëndetësor të prekur me Covid janë infermierë, 37 % mjekë, 3% janë farmacistë ndërsa 1 % është fizioterapistë dhe teknikë të farmacisë të prekur me Covid-19.
Nga Covid-19, nga fillimi i pandemisë e deri më tani, jetën e kanë humbur 7 mjekë dhe 6 infermierë.
Tv Klan