35-vjeçari, Ervis Xhixha, në Janar të këtij viti u mor peng për pak orë nga 7 persona, të cilët e kanosën atë për t’i marrë rreth 80 mijë Euro. Autorët e kësaj ngjarje të regjistruar në qytetin e Kamzës janë identifikuar nga policia e Tiranës dhe 5 prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Bëhet fjalë për Hektor Xheçukën dhe Fredi Ketën, të cilët sipas hetuesve dyshohet të jenë dhe organizator të kësaj pengmarrje. Sipas burimeve, shkak i regjistrimit të kësaj ngjarje është bërë fakti se Xhixha ka pasur një borxh të pashlyer dhe kjo ka sjellë edhe pengmarrjen e tij.

Ndërkohë, sa i takon personave të përfshirë, ata janë emra të njohur për policinë. Mes tyre, Hektor Xheçuka, i njohur ndryshe dhe si Tori Xheçuka është shpallur në kërkim edhe nga Prokuroria e Posaçme pas operacionit “Revanshi”.

Sipas SPAK, ai ka dalë në komunikimet e SKY teksa ishte angazhuar për të marrë pjesë në vrasjen e Durim Bamit për llogari të Ervis Martinajt, ekzekutim ky që nuk u realizua. Referuar burimeve policore, Hektor Xheçuka prej kohësh ndodhet jashtë Shqipërisë dhe ka dyshime se fshihet në Dubai.

Tv Klan