Nga Blerta Dalloshi Berisha
Një listë e gjatë e problemeve të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë lindin nga problemet që dy shtetet i kanë në mes vete. Në jetën reale qytetarët kanë probleme edhe nëse vendosin të lidhin martesa, të regjistrohen në universitete apo edhe të krijojnë biznes. Në lëkurën e saj Suzana Mariç një serbe nga Novi Sadi i provoi një varg problemesh kur vendosi të lidhte martesë me një shqiptar nga Ferizaj.
Suzana sot jeton në Kosovë. Kur ishte 19 vjeç ajo vizitoi për herë të parë Kosovën dhe pas një kohe vendosi të studioj në Prishtinë. Vajza kishte nisur një lidhje me një shqiptar nga Ferizaj të cilin e kishte njohur në Kroaci.
Në vitin 2021ajo vendosi që të studionte në Kosovë, konkretisht në programin e Ballkanistikës të regjistruar në kuadër të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Procedurat e regjistrimit në fakultet kanë bërë që të kuptoj edhe më shumë për mungesën e marrëveshjeve apo edhe zbatimit të tyre në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd.
“Vendosa të regjistrohem në Fakultetin e Filologjisë, programin e Ballkanistikës në Prishtinë. Vendosa të studioj në Prishtinë sepse është një qytet më i vogël në krahasim me Beogradin (ku atje mund të studioja gjuhën shqipe). Problemet e para që u shfaqën ishin ato që kishin të bënin me administratën dhe burokracinë. Dekani i fakultetit më shpjegoi procesin e regjistrimit në fakultet dhe për fakultetin gjithçka ishte në rregull, megjithatë duhej të nostrifikoja diplomën time të shkollës së mesme të Novi Sadit, që të regjistrohesha këtu. Aty nisën edhe telashet e para, pasi, pavarësisht se zyrtarisht diploma ime u ishte e nostrifikuar, së pari nuk donin ta pranonin, por më në fund e pranuan. Pastaj, për shembull, dokumentet duhej të ishin të noterizuara, noterët në Prishtinë nuk më pranonin por duhej të shkoja në Bujanoc, që të mund të dërgoja dokumentet e mia për nostrifikim. Nuk di më shumë. Më kanë thënë se është një pengesë politike në Serbi, jo këtu. Sidoqoftë, ajo e politikës, natyrisht, e komplikon jetën tonë të përditshme. Raportet politike Prishtinë-Beograd janë padyshim një pengesë për jetën e përditshme”, thotë ajo.
Mariç madje i ka mësuar shumë mirë edhe marrëveshjet e që nuk po respektohen.
“Mendoj se, ndonëse janë nënshkruar disa marrëveshje, ato marrëveshje nuk respektohen, për shembull, sa i përket nostrifikimit të diplomave, madje edhe verifikimit, kështu që në shumë aspekte e vështirësojnë jetën”-thotë ajo, ndërsa kujton se regjistrimi në fakultet si serbja e parë nga Serbia më shumë ka zgjuar kureshtje dhe habi të studentët e tjerë dhe te profesorët se që është paragjykuar apo nënçmuar.
Seniha Krasniqi, koordinatore e programit të Ballkanistikës në kuadër të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës bënë të ditur se ky program është akredituar në vitin akademik 2021/2022.
“Që nga akreditimi kemi pasur të regjistruar 3 studentë të kombësisë serbe. Një nga Serbia dhe dy nga Kosova. Studentja nga Serbia vazhdon studimet dhe e njëjta është e rregullt (ka fituar kushtin për vitin e tretë të studimeve), ndërsa studentët nga Kosova nuk kanë vazhduar (njëri është shpërngulur, tjetri nuk dihet arsyeja). Përveç kësaj, kemi edhe studentë tjerë të regjistruar nga radhët e komunitetit jo-shumicë, tre studentë të kombësisë boshnjake dhe një të kombësisë gorane. Studentët e tjerë i përkasin kombësisë shqiptare”, thotë ajo.
Sipas Krasniqit, sfida kryesore e programit buron nga vështirësia e nostrifikimit të diplomës për profesoreshën nga Beogradi, përkundrejt faktit që ka aplikuar për nostrifikim disa vite më parë deri më tani nuk është nostrifikuar diploma e profesoreshës e cila ligjëron në programin e Ballkanistikës që nga themelimi i këtij programi.
“Profesoresha në fjalë flet rrjedhshëm edhe gjuhën shqipe dhe është shumë e përshtatshme për programin dhe larminë e strukturës së studentëve në Programin e Ballkanistikës. Megjithatë, pengesa e nostrifikimit ka pamundësuar edhe ri-akreditimin e programit, meqë për një program të tillë “double-major” nevojitet edhe një profesor nga fusha e sllavistikës si bartës i programit (sipas AKA-së)”, thotë Krasniqi. Sipas saj studentëve i ofrohet ndihmë nga profesorët në çdo hap, dhe fakti që numri i studentëve nuk është shumë i lartë atëherë edhe raporti student-profesor është shumë më i afërt. Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për Njohjen e Ndërsjellë të Diplomave Universitare, më 2 korrik 2011. Sipas marrëveshjes, kandidatët e paraqesin aplikacionin e tyre për njohjen e diplomës tek Partneri Implementues (PI), i cili i menaxhon aspektet teknike. SPARK, një OJQ holandeze e fokusuar në arsimin e lartë dhe ndërmarrësi, u zgjodh si partneri implemetues për periudhën 2012-2014. PI (ose SPARK) i përcjellë kërkesat tek Asociacioni i Universiteteve Evropiane (AUE), i cili i vërteton (certifikon) diplomat.
Serbia dhe Kosova, ishin pajtuar që ta kenë AUE për certifikues të diplomave të tyre, në marrëveshjen e arritur më 21 nëntor 2011 (hap i domosdoshëm përpara se autoritetet e të dyja vendeve të mund të vazhdojnë me procedurën e njohjes së diplomave).
Në Serbi, njohja e certifikimeve të diplomave nuk ndodhi pasi Gjykata Kushtetuese e Serbisë, në vitin 2014, vendosi që marrëveshja nuk ishte në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën e Serbisë. Më 19 janar 2016, Kosova dhe Serbia, i shtuan përpjekjet e tyre për t’i adresuar këto çështje dhe i qartësuan procedurat për njohje të diplomave. Ata u pajtuan ta zgjerojnë fushëveprimin e marrëveshjes për t’i përfshirë të gjitha nivelet e arsimit: Arsimi i Lartë (BA, MA, PhD) dhe Arsimi para-universitar (arsimi fillor, i mesëm, profesional dhe niveli i pestë i kualifikimit sipas Kornizës Evropiane të Kualifikimeve – KEK); dhe ta krijojnë një grup implementues trepalësh (për ta monitoruar zbatimin). Sidoqoftë, kundrejt të gjitha aranzhimeve, të dyja palët nuk arritën ta materializojnë njohjen e diplomave.
Më 4 Shtator 2020 Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik në Washington D.C. Përmes kësaj marrëveshje, palët ripërtërinë përkushtimin e tyre ndaj njohjes së ndërsjelltë të diplomave dhe certifikatave profesionale. Pyetje i janë dërguar edhe Ministrisë së Arsimit në Kosovë edhe asaj në Serbi por deri në publikimin e artikullit nuk kemi pranuar përgjigje. Dukagjin Popovci ekspert i arsimit thotë se marrëveshja e njohjes së diplomave është zbatuar pjesërisht. Sipas tij fillimisht ishte një organizatë ndërmjetësuese e cila është marrë me vërtetimin e diplomave por kur kjo organizatë është tërhequr nga procesi ka pushuar edhe zbatimi i marrëveshjes.
“Kur bëhet fjalë për diplomat e shkollave të mesme, ato nga ana e Kosoëvs njihen pa kurrfarë problemi. Zakonisht studentët që vijnë nga Serbia për të studiuar në Kosovë, shumica nga lugina e Preshëvës. Në Ministrinë e Arsimit ekziston procedura për njohjen e diplomave është procedurë shumë e shpejtë, ndërkaq nuk e di saktësisht si shkon procedura në Serbi. Sa kam dëgjuar unë, dokumentet e arsimit fillor i pranojnë më lehtë se ato të shkollës së mesme ku kërkojnë një sërë dokumentesh shtesë të cilat njerëzit nuk janë në gjendje ti prezantojnë. Pasoja ka, kemi një numër të konsiderrueshëm ku një pjesë të studimeve universitare i kanë përfunduar në Serbi dhe ata nuk mund ti realizojnë të drejtat e tyre në Kosovë meqë për shkak të reciprocitetit edhe Kosova nuk i njhe këto diploma universitare. Shumë njerëz nga lugina kanë përfunduar studimet në Kosovë dhe për t’u kthyer në vendlindjen e tyre dhe për të punuar në Serbi për të ushtruar profesionin ku kërkohen kualifikime të tilla atëherë diplomat nuk u njihen dhe kjo paraqet një problem mjaft të madh për ta. Në shumë raste edhe mungon kuadri për shkak të faktit që këto diploma nuk njihen”, thotë Pupovci.
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar që përfaqëson pakicën shqiptare në Serbi Enkel Rexhepi thotë se diplomat e fituara në Republikën e Kosovës nuk pranohen nga autoritet serbe, edhe pse për çështjen e njohjes së diplomave ka marrëveshje të nënshkruar në Bruksel dhe Ëashington, që kishte për qëllim të lehtësonte njohjen reciproke të diplomave në nivel teknik dhe të siguronte njohjen e e tyre për qëllime të studimeve të mëtejshme dhe punësimit.
“Serbia me anë të një amandamenti kushtetues ka ndaluar përdorimin e diplomave të lëshuara nga institucionet arsimore të Kosovës. Megjithatë, problem për njohjen e diplomave të Kosovës në Serbi janë të lidhura me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Serbia është e njohur për shkeljet e marrëveshjeve, ku është nënshkrues. Ka tri marrëveshje të nënshkruara, por asnjëra prej tyre nuk është duke u zbatuar”, ka thënë Rexhepi.
Ai thotë se në praktikë, sa është i pamundur po edhe i pa imagjinueshëm që të krijohet një punësim apo edhe vazhdimin e studimeve të mëtejshme. Ky diskriminim i vazhdueshëm sipas tij është edhe faktor kyç që ka ndikuar në migrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Mosnjohja e diplomave dhe presionet politike nga qeverisja qendrore në Beograd ka pasur ndikime të mëdha në strukturën demografike, duke ulur numrin e shqiptarëve që jetojnë dhe duke bërë më të vështirë jetën dhe ata detyrohen të zgjedhin rrugë tjera, e kryesisht rrugën e migrimit. Kjo është një shqetësim i madh për të ardhmen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe për ruajtjen e identitetit dhe të drejtave të tyre në këtë rajon”, ka thënë Rexhepi.
Milica Andriç Rakiq nga ‘Nisma e Re Shoqërore’ thotë se serbët që kanë studiuar në Universitetin e Mitrovicës së Veriut e që nuk kanë diplomë të verifikuar nuk mund të punësohen në institucionet publike në Kosovë. Sipas saj deri në vitin 2020, kur ka funksionuar Komisioni i Verifikimit të Diplomave, janë verifikuar rreth 1800 diploma nga Universiteti serb në Mitrovicë, por që atëherë procesi nuk ka vazhduar.
“Kishte disa deklarata të këshilltares së Kurtit, Elizabeth Goëning se verifikimi i diplomave do të rifillonte para disa muajsh, por nuk kemi informacone të ketë filluar sërish zyrtarisht”, ka thënë Andriq Rakiq.
E krahas studimeve në Prishtinë, Suzana tashmë ka lidhur kurorë me Gent Sejdiun nga Ferizaj.
Të dy familjet fillimisht e pritën me skepticizëm vendimin e të rinjve, por me kalimin e kohës gjithçka është vënë në vendin e vet. Ajo tregon se martesa e saj me një shqiptar ka sjellur peripecitë e veta sa i përket dokumenteve e që sërish ndërlidhen me marrëveshjet Kosovë -Serbi.
“Kishim, për shembull, probleme për kurorëzim. Vendosëm që të kurorëzohemi zyrtarisht në Kosovë, por jo në Novi Sad, pasi atje në atë kohë nuk pranohej dokumenti i identifikimit nga Kosova. Kemi rregulluar dokumentet në Kosovë. Aktualisht jemi në proces që t’i rregullojmë edhe dokumentet e Serbisë, çka është përsëri një problem i madh, pasi bashkëshorti është i lindur në Gjermani, në vitin 1998. Ai nuk është fare në sistem të Serbisë, prandaj duhet së pari të regjistrohet në sistem, dhe kjo sigurisht do të zgjasë një vit apo dy, përmes procedurave gjyqësore dhe të gjitha, që ai të mund të marrë një letërnjoftim, dhe kështu të mund të martohet me mua në Novi Sad, sepse, edhe pse jemi të martuar në Kosovë, ajo nuk pranohet. Mendoj, kjo martesë është si të mos ekzistojë për Serbi. Në thelb, i bie të kemi dy kurorëzime, kështu që tani nuk jam e martuar në Serbi, por jam në Kosovë. Prandaj mendoj se mund ta shohim këtë si diçka simpatike, sepse s’kemi zgjidhje. Por për dikë që nuk ka shumë zgjidhje, sigurisht që nuk është e duhura dhe sigurisht që nuk është interesante. Dhe shpesh herë përfaqëson komplikime të mëdha, si në kohë ashtu edhe në para. Prandaj, me të vërtetë nuk është diçka për të qeshur“, thotë Mariç Sejdiu.
Se ky çift duhet të ketë dy kurora për të rregulluar dokumentet edhe në Serbi e konfirmon edhe Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Beograd.
“Personi në fjalë duhet të regjistrohet në librat e gjendjes civile në një procedurë ku ai sjell dy dëshmitarë dhe ekstraktet e certifikatës së lindjes së prindit ose dokumentit tjetër nga librat amzë serbe. Kjo procedurë mund të bëhet para Gjykatës Themelore të Leskovicit, e cila ka juridiksion në territorin e Kosovës për çështje civile. Nëse çifti martohet në sistemin e Kosovës, kjo certifikatë nuk është e vlefshme në sistemin serb dhe ndoshta do të duhej ta bënin përsëri në Serbi“, thotë Jovana Spremo nga ky komitet.
Sipas saj Serbia zyrtarisht nuk njeh asnjë nga dokumentet e Kosovës, thjesht ka procedurën e njërit “sy qorr” për disa, përfshirë letërnjoftimet dhe patentën për shoferët. Nga komuna e Novi Sadit deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje për të sqaruar procedurat që duhet ndjekur në këtë rast, dhe pse nuk pranohet dokumenti i kurorëzimit në Kosovë si valid në Serbi. Përgjigje nuk ka kthyer as Agjencia për Regjistrim Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë. E kur ndodhin trazira që acarojnë më tepër raportet Kosovë-Serbi, qoftë ngjarjet e Zveçanit, sulmi i Banjskës apo edhe vrasja e policit në Llozanë, Maric Sejdiu thotë se raportet me miqtë nuk ndryshojnë, por vërehet një tension në rrethin më të gjerë apo edhe të kolegëve për të cilat thotë se i merr shtruar dhe i mirëkupton.
Ndryshe nga Maric e cila fillimit kishte vizituar disa herë Kosovën për të vendosur që pastaj të zhvendoset këtu, Ermir Idrizaj nga komuna e Istogut ka dy vjet që jeton në Beograd.
I lindur pas luftës, rrëfimet e para që kishte dëgjuar për Serbinë sigurisht që kishin të bënin me okupimin serb, luftën në Kosovë dhe masakrat e kryera nga Serbia. Megjithatë në një konkurs që kishte parë për një kompani të marketingut në Beograd, ndonëse i ri, ende pa mbushur 22 vjeç ai vendos të aplikojë. Pasi pranohet në këtë vend pune, ai u jep lajmin familjes e cila sigurisht që e priti këtë lajm me rezerva dhe hezitim, duke u frikësuar se çfarë mund t’i ndodhte atij në një vend i cili pak para se të lindte ai kishte kryer masakra të mëdha në Kosovë. Megjithë hezitimet e familjes ai niset për Beograd. Ai erdhi me shumë kureshtja në Beogradi ku nisi punën dhe u sistemua në një banesë me qira jo shumë larg vendit të punës.
“Kam qenë kureshtar me pa Beogradin nga afër, kulturën këtu…Sigurisht ishin edhe paragjykimet se si të vij në Beograd kanë me më njoftë që jam shqiptar, ai ishte mendimi i parë por nuk është që kam prit që do të jetë diçka më ndryshe. Serbët këtu kur kam ardhur, në përgjithësi, ditët e para kur ju kam treguar që jam i Kosovës më kanë mirëpritur, kemi bashkëpunuar, kemi biseduar, jemi shoqëruar. Ashtu siç e kam menduar, ka dalë edhe më mirë, nuk jam paragjykuar“, thotë Idrizaj për përshtypjet e para pas vendosjes në Beograd.
Ndonëse familja thotë se është pajtuar me vendimin e tij, çdo herë që ndodh ndonjë acarim i raporteve Kosovë-Serbi ata kanë frikën për djalin dhe i kërkojnë që të kthehet në Kosovë. Idrizaj i cili ka 2 vjet që jeton në Beograd thotë se tensionet ndëretnike ndikojnë pak a shumë në raportet kolegiale.
“Normalisht që vërehet sa herë ndodh diçka, në bisedat me ta e sheh që hezitojnë të komunikojnë, por jo në prishje të raporteve më shumë ndoshta një ftohje të raporteve që kalon dhe më pastaj sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, thotë ai. Pa e ditur asnjë fjalë në gjuhën serbe të vetmin komunikim e ka në gjuhën angleze. Thotë se nuk është paragjykuar si shqiptar dhe nuk ka pasur vështirësi as në sistemimin e tij. Të ardhmen e sheh në një vend evropian ndërsa aktualisht thotë se së paku edhe 1 apo dy vite do të qëndrojë në Beograd. Nuk dihet saktë numri i shqiptarëve që pas luftës kanë vendosur të jetojnë në Beograd.
Gazetari Idro Seferi që ka 17 vjet që raporton nga Beogradi thotë se janë të paktë ata shqiptarë nga Kosova që vendosin të marrin dokumente të Serbisë apo t’i hyjnë procedurave të tilla (fjala është për vendbanim të kenë Beogradin apo ndonjë qytet tjetër serb ku punojnë).
Sipas tij ka edhe shumë të tillë që i marrin dokumentet e Serbisë me vendbanime të qyteteve të Kosovës për arsye të ndryshme, si përshembull për të zhvilluar biznes me vendet aziatike.
“Ata që nuk posedojnë dokumente të Shqipërisë janë detyruar t’i marrin të Serbisë me vendbanim të Kosovës”, thotë Seferi. Sipas tij Beogradi vazhdon të jetë një pikë që shihet me shumë tension, njerëzit ndikohen shpesh nga ngjarjet politike që ndodhin kryesisht në veri të Kosovës. Thotë se ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më shumë ka shkëmbim mallrash pasi ende nuk është krijuar një klimë permanente politike për investime Kosovë-Serbi. Pikërisht tensionet politike kanë bërë që tre të rinj nga Kosova që shohin perspektivë që të hapin një biznes në Beograd të hezitojnë të ndërmarrin një hap të tillë.
Njëri nga ta pranoi të flasë në kushte anonimiteti ndërsa tregoi që ishte insistimi i tij pas një vizite që i ka bërë Beogradit për të ndërmarrë një hap të tillë.
“Njëri nga ortakët heziton, ne jemi bashkë në të gjitha bizneset qoftë në Kosovë apo vende të tjera të rajonit, synojnë të zgjerohemi edhe në disa vende evropiane kryesisht qytete të Gjermanisë, madje kemi edhe oferta për bashkëpunim edhe me shqiptarët atje. Kur isha në Beograd e pash që biznesi ynë që është në fushën e kulinarisë do të kishte sukses. Hezitimi i parë nga shoku im erdhi se pikërisht në atë kohë ndodhi sulmi i Banjskës, të gjithë sulmuesit po strehohen pikërisht në Beograd. Po ashtu meqë merremi me biznes në fushën e kulinarisë ai më shumë se unë i druhet paragjykimeve dhe mund të ndikojnë në bizneset aktuale, po ashtu së fundmi hezitimet janë shtuar edhe më shumë për shkak se kemi frikë në mos hasim në burokraci administrative. Megjithatë unë do të analizoj edhe pak më tej sa i përket çështjeve administrative. Nëse ka lëvizje në dialogun Prishtinë-Beograd dhe rrregullohen pak a shumë tensionet, e nuk hasim në burokraci administrative pas një kohe do të instistoj ndoshta sërish. Ta shohim se qysh po ec puna edhe me vendet evropiane, ndoshta mandej edhe s’kemi me pas mundësi e kohë, ama punë sigurtë kishim me pas ata e di 100%“, përfundon ai bisedën ai.
Eksperti i çështjeve ekonomike Safet Gërxhaliu thotë se mugesa e stabilitetit politik ndërmjet dy vendeve ndikon edhe në ekonomi. “Nuk mund të flitet për raporte normale ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kur çdo gjë është politike. Në atë moment kur këto procese janë politike ka pak hapësirë për ekonomi. Me vetë faktin që jemi në një dialog maratonik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sfidat janë shumë më të mëdha.Sot shumë më lehtë e ka dikush nga vendet e rajonit apo nga Serbia të regjistrojë një biznes apo të bëj afarizëm në Kosovë ndërsa një kosovar i cili pretendon të bëjë biznes apo të hap biznes të ri në Serbi. Barrierat fillestare janë me dokumente të Kosovës që nuk i pranojnë, e dyta procedurat burokratike janë shumë të mëdha. Një procedurë e tillë i demotivon kosovarët për të hapur biznes në Serbi”, thotë Gërxhaliu. Sipas tij Ballkani Perëndimor ka qenë prioritet i shumë iniciativave rajonale që nga viti 1999 ku është themeluar Pakti i Stabilitetit dhe procesi i Berlinit, por këto iniciativa edhe pse kanë pas mbështetje nga donatorë të ndryshëm kanë dështuar dhe nuk kanë pasur jetëgjatësinë falë mungesës së normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.
“Falë këtyre raporteve në relacion Kosovë-Serbi po mbetet peng edhe Ballkani Perëndimor. Në rastin më të mirë shihni Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas arritjes së marrëveshjes Zaev-Cipras që të dyja shtetet janë duke avancuar në aspekt të zhvillimit dhe shumë benefiteve të tjera ekonomike, prandaj pa stabilitet politik nuk ka zhvillim ekonomik”– thotë Gërxhaliu.
E Andriç Rakiq ankohet për bizneset serbe pasi sipas saj nëse ka një biznes që varet nga importi i mallrave nga Serbia, atëherë është e pamundur të hapet biznes me përjashtim të lëndëve të para dhe materialeve të ndërtimit. Sipas saj kjo është ajo që tani po i mbyll bizneset ekzistuese edhe të serbëve vendas në Kosovë. Sipas saj sfidat me të cilat ballafaqohen bizneset janë shumë komplekse.
Ky material është prodhuar me ndihmën e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e videos është përgjegjësi vetëm e Blerta Dalloshi Berisha dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.