Rafael Nadal do të luajë në Laver Cup këtë vit, në atë që mund të jetë turneu i fundit i spanjollit përpara se të tërhiqet nga tenisi i luajtur.
37-vjeçari i cili u rikthye në fushë pas një ndërprerjeje disa mujore duke marrë pjesë në turneun e Barcelona Open, ka luftuar me dëmtimet në dy vitet e fundit dhe tha se pret të tërhiqet pas sezonit 2024. Kjo do të jetë paraqitja e katërt e fituesit të 22 Grand Slameve në turneun me skuadra tre ditor, ku do të përballen 6 tenistët më të mirë të Europës me gjashtë më të mirët nga pjesa tjetër e botës.
Hera e fundit që spanjolli mori pjesë në Laver Cup ishte në vitin 2022, ku ai bënte pjesë në të njëjtin ekip me Roxher Federer, me zviceranin që luajti ndeshjen e tij të fundit. “Kam disa kujtime vërtet të veçanta nga eksperienca ime në Laver Cup. Në këtë fazë të karrierës sime dua shumë të shfrytëzoj sa më shumë mundësi që do të më jepen”, tha Nadal në një reagim.
Carlos Alcaraz, Daniil Medvedev dhe Alexander Zverev janë ndër tenistët e tjerë që do të jenë pjesë e Team Europe në kompeticionin e sivjetshëm, i cili do të mbahet në Berlin në datat 20-22 shtator.
Klan News