Rreth gjysmë ore ka zgjatur seanca për caktimin e masës së sigurisë për 14-vjeçarin në konflikt me ligjin si autori i dyshuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij. Gjyqtarja Lorena Çabej së bashku me prokuroren Alma Felaj, psikologen dhe avokatin e të miturit ishin në ambientet e një spitali privat në Tiranë ku zhvilluan edhe seancën për masën e sigurisë. Gjyqtarja pranoi kërkesën e prokurorisë dhe i caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Gjatë zhvillimit të seancës 14-vjeçari u tregua i rezervuar. Ndërsa avokati i tij Ardjan Leka bën me dije se i mbrojturi prej tij është në gjendje shëndetësore të rënduar si në aspektin psikologjik ashtu edhe në atë fizik për shkak të plagës që ka marrë. Avokati thekson se 14-vjeçari autor i dyshuar i ngjarjes nuk e ka pranuar krimin.

Jashtë ambienteve të spitalit privat ndodheshin edhe shumë familjarë të 14-vjeçarit. Ndërkohë dinamika se si ka ndodhur ngjarja e rëndë ku humbi jetën i mituri dhe u plagos një tjetër së bashku me autorin e dyshuar ende nuk është sqaruar. I mitur në konflikt me ligjin sapo të përmirësohet nga gjendja shëndetësore do të dërgohet në ambientet e burgut të Kavajës.

Ndaj 14-vjeçarit i dyshuar si autor i krimit rëndojnë dy akuza ajo e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe mbajta pa leje e armëve të ftohta. Por deri në përfundim të hetimeve dhe zbardhjes së dinamikës së ngjarjes, akuza mund të rikualifikohet. 

Ndërkohë 4 ditë pas ngjarjes policia e Tiranës ka gjetur thikën me të cilën i riu vrau 14-vjeçarin. Mjeti prerës u gjet nga një qytetar në afërsi të ish-ATSH-së në rrugën Fadil Rada. Thika ishte futur në çantën e shkollës nga i mituri dhe ishte hedhur në anë të rrugës.  

Klan News