Kjo revistë prestigjoze rekomandon vendet që duhen parë në vendin tonë
Përpara nisjes së sezonit turistik “National Geographic”, versioni spanjoll i kësaj reviste prestigjioze rekomandon që të vizitohet Shqipëria. Revista ka zgjedhur të japë për lexuesit e saj disa rekomandime për të gjithë atë udhëtarë që duan të shijojnë diçka pak më ndryshe nga aventurat e tyre në shtete të ndryshme të Evropës.
Përshkruhet si një vend, ku gjen të bukurinë e brigjeve të Adriatikut dhe Jonit, por dhe për historinë e saj intriguese osmane dhe historinë më të vonë komuniste, me qytete si Kruja, Berati dhe Gjirokastra ndërsa nuk harron pa vlerësuar Parkun Kombëtar të Butrintit dhe atë të Apolonisë.
Por si pjesë e listës së vendeve që duhen vizituar në Shqipëri, revista vendos edhe Alpet. Bjeshkët e Nemuna, po frekuentohen gjithnjë e më shumë nga ata që kërkojnë peisazhe autentike, male dhe shtigje që lidhin parqet kombëtare dhe kalojnë kufijtë. Rruga më e njohur e ecjes lidh fshatrat e Valbonës dhe Thethit në një udhëtim 12 kilometra që duket si një udhëtim në të kaluarën.
Lexuesve spanjollë u kujtohet edhe Riviera shqiptare e cila fillon me qytetin e Vlorës. Përmend plazhet e Dhërmiut, që kanë ujë të pastër kristal me rërë të bardhë. Himara, është një nga qytetet e tjera më të populluara dhe një eksponent i vërtetë i zhvillimit shqiptar.
Më në jug ndodhet Borshi dhe Saranda. Në bregun e fundit të bregdetit shqiptar, përballë ishullit grek të Korfuzit, pothuajse i arritshëm me not, ndodhet Ksamili i cilësuar shpesh si ‘Karaibet e Evropës’.
Rekomandimi që i bëhet lexuesve përmes këtij shkrimi, premton që dhe 2024 të ketë një fluks të madh turistësh që do të zgjedhin Shqipërinë për ta vizituar, pas suksesit të vitit që lamë pas ku autoritetet numëruan 10 mln vizitorë që shkelën tokën shqiptare.
Klan News