Vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm personat që vuajnë nga Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike që prek mushkëritë e njohur ndryshe si SPOK. Kjo sëmundje sipas bluzave të bardha është një kombinim i faktorëve mjedisore dhe gjenetike, por lidhet edhe me duhanpirjen.

Eugerta Dilka, mjeke pneumologe: Kemi një rritje të prevalencës, faktori kryesor është pirja e duhanit më pas janë thithja e grimcave dhe gazeve toksike të ajrit në ambientin e jashtëm dhe të brendshëm të shtëpisë. Ndërkohë janë dhe faktorë gjenetikë, por gjithashtu dhe pacientët në moshë të re të cilët janë astmatikë, por gjatë pirjes së duhanit me problemet që mund të kenë pasur gjatë fëmijërisë ose infeksioneve të shpeshta bëhen shkak për të kaluar nga pacientë me astmë në pacientë me SPOK.

SPOK-u ndeshet kryesisht tek moshat mbi 50-vjeçare, por nuk përjashtohen edhe të rinjtë theksojnë mjekët.

Eugerta Dilka, mjeke pneumologe: Grupmoshat janë më tepër mbi 50-vjeç, por kap dhe moshat 20-50 vjeç, pasi faktorët që ndikojnë në këto patologji janë të ndryshëm pasi kemi të bëjmë me një sëmundje patologjike që është me një kufizim të fluksin respirator, është progresiv dhe i vazhdueshëm. Në Bashkimin Europian kostoja totale e kësaj sëmundje zë 56% të të gjitha sëmundjeve respiratore dhe prevalenca në rang global shkon rreth 10%.

Sëmundja e SPOK-ut që dëmton mushkëritë është e parandalueshme dhe e trajtueshme.

Klan News