Periudha e festave është më e ngarkuar për ndreqësin e lodrave për fëmijë Guido Pacelli dhe ndihmësit e tij, megjithëse puna për të nuk mbaron kurrë.
Gjatë gjithë vitit, lodrat e dhuruara për shoqatën Salvamamme inspektohen me kujdes nga vullnetarët për të përcaktuar nëse ato mund të riparohen. Këto lodra më pas dërgohen në punëtorinë e Pacellit, ku ai bën magjinë e tij.
Inxhinieri në pension, Pacelli ka qenë një vullnetar i përkushtuar për shoqatën Salvamamme për shumë vite. Duke përdorur mjeshtërinë e tij, ai ka riparuar mijëra lodra për t’u sjellë gëzim fëmijëve dhe lehtësim për prindërit që nuk mund të përballojnë dhurata të shtrenjta.
”Në vend që t’i hedhin, na i sjellin. Ka edhe shumë firma që na japin lodra që kanë defekte dhe që nuk shiten, ndaj sigurisht që nuk është e leverdishme që t’i riparojnë, kështu që na i dhurojnë ne. Këto lodra shkojnë për familjet që janë në vështirësi ekonomike. Ndoshta fëmijët e tyre nuk do të merrnin një dhuratë për ditëlindjen apo Krishtlindjet dhe ne ua japim këto lodra këtyre familjeve”.
Gjatë punës së tij shumë vjeçare Guido Pacelli është përballur edhe me histori të dhimbshme. Ai zgjedh të rrëfejë njërën që e ka prekur më shumë.
“Një herë, një baba më kontaktoi. Ai erdhi këtu duke më pyetur nëse mund të rregulloja disa lodra. Ai solli tre lodra me që nuk funksiononin. Unë i thashë, “Më falni, por ne nuk rregullojmë lodra për individë të caktuar vetëm për shoqatën.” Ai këmbënguli duke thënë: “Shiko, unë do të paguaj çfarë të duash”. E pyeta pse.. dhe më shpjegoi më pas se lodrat i përkisnin vajzës së tij të vogël e cila nuk jetonte më.”
Ndreqësi i lodrave shpjegon se puna e tij i sjell shumë lumturi.
”Në moshën time, nuk është se mund të kem më shumë ëndrra. Le të themi se ëndrra ime është të shoh një fëmijë të buzëqeshë”.
Puna e tij jo vetëm që u sjell gëzim fëmijëve dhe familjeve të tyre, por gjithashtu ndihmon në reduktimin e mbetjeve, duke rikuperuar rreth 80% të lodrave elektrike që përndryshe do të përfundonin në mbeturina.
Klan News