Predha e gjetur në vendin ku u vra Eduart Reçi është dërguar në laborator, por ende nuk është përcaktuar lloji i armës. Sipas burimeve të policisë, predha është gjetur në një distancë rreth 5 metër larg trupit të viktimës. Burime nga policia bëjnë me dije se arma mund të jetë e llojeve të reja të kalibrit të vogël. Kjo do të përcaktohet nga laboratori i Policisë Shkencore, ndërsa sipas bluve distanca e qitjes mendohet të jetë rreth 20 deri në 30 metra.
Për të saktësuar distancën dhe vendin ku është qëlluar sektori për hetimin e vrasjeve do të kryejë në ditët në vijim një eksperiment hetimor. Kjo është kërkuar nga prokuroria e kryeqytetit.
Në momentin që Reçi është qëlluar me një plumb në kokë, në zonën pranë pallatit të tij janë hedhur fishekzjarre. Kjo për grupin hetimor dyshohet se është kryer për të “sfumuar” zhurmën e qitjes. Biznesmeni i ndërtimit Reçi fillimisht ka qenë me bashkëshorten e tij në hyrje të pallatit. Pak sekonda pasi është ndarë me të, është qëlluar me një plumb në kokë.
Fillimisht familjarët kanë dyshuar se ai është rrëzuar duke përplasur kokën në rrugë, por pasi ka mbërritur ambulanca, mjekët kanë konstatuar plagën e shkaktuar nga arma me zjarrit.
Autori ose autorët kanë qenë të kujdesshmë pasi nuk shfaqen në pamjet e kamerave. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe kamera në rrugë dhe biznese të tjera në afërsi të pallatit ku jetonte viktima. Gjithashtu është dërguar në laborator celulari i viktimës për verifikuar komunikimet e tij të fundit. Klan News ka mësuar se gjatë momentit që është qëlluar, 52 vjeçari ka qenë duke folur në telefon.
Pista e hetimit mbeten ajo e ndonjë konflikti të mundshëm për shkak të pronave. Prej vitesh ai ushtronte aktivitetin e tij në fushën e ndërtimit si dhe zotëronte disa biznese pranë vendit ku mbeti i vrarë. Në vitin 2015 kishte bërë një kallëzim për çështje pronësie, çështje që pushua nga organet e drejtësisë.
Klan News