Kurti i pakënaqur me vonesat e LDK-së
“Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli mblodhi sot kryesinë e vjetër parlamentare për të diskutuar procedurat e seancës themeluese të legjislaturës së re më 26 Dhjetor. Ndërsa ende nuk ka një vendim për formimin e koalicionit të ri qeverisës mes Vetëvendosjes dhe LDK-së”.
Janë bërë katër ditë që nuk janë takuar krerët e dy partive më të mëdha në vend LVV-së e LDK-së të cilat synojnë të bashkëqeverisin. Lideri I LVV-së Albin Kurti nuk ka lënë pa e thumbuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Ka thënë se mbetet të shihet nëse kjo mbledhje do të betonojë për koalicion ndërsa për LVV-në tha se do të thërras Këshillin Drejtues pas marrëveshjes eventuale me LDK-në.
“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë javë, mirëpo, nuk dua që të ndërhyjë te LDK-ja e cila mësova se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm si organi më i lartë. Ne në VV besojmë se thirrja e Këshillit në subjektin tonë duhet të mbahet pas marrëveshjes, jo para marrëveshjes”.
Gjatë ditës është mbledhur edhe kryesia e vjetër e Kuvendit të Kosovës për seancën konstituive të 26 Dhjetorit.
“Ishte mbledhje procedurale, janë përcaktuar kornizat e mbajtjes së seancës konstituive. Besoj që me datën 26 Dhjetor do të kemi një legjislaturë të re. Shpresoj që shumë shpejt të kemi edhe konstituimin e institucioneve të reja”.
Në seancën konstituive të 26 Dhjetorit pritet të zgjidhen organet e reja drejtuese të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Tv Klan