Kryetari i parlamentit të Gjeorgjisë nënshkroi projekt-ligjin për agjentët e huaj që ka shkaktuar një krizë politike në vendin e Kaukazit Jugor dhe ka tërhequr kritika të ashpra nga aleatët e saj perëndimorë.
Mosmarrëveshja rreth ligjit është një provë nëse Gjeorgjia do të ruajë orientimin e saj perëndimor apo do të afrohet me Rusinë. Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, vuri veton ligjit, pasi u miratua muajin e kaluar.
Legjislacioni kërkon që organizatat që marrin më shumë se 20% të financimit të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të ndikimit të huaj” dhe nëse nuk zbatohet synon gjoba. Prej më shumë se një muaj kundërshtarët e projektligjit kanë mbajtur protestat më të mëdha në Gjeorgji që nga pavarësia nga Moska në 1991.
Një grup OJQ-sh gjeorgjiane kanë thënë se do të kundërshtojnë legjislacionin në gjykatën Kushtetuese dhe po përgatitin një paraqitje në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, njoftuan media gjeorgjiane javën e kaluar.
Shtetet e Bashkuara të cilat kanë vendosur sanksione si dhe Bashkimi Evropian dhe Britania e kanë kritikuar projektligjin pasi cënon lirinë e fjalës. Grupet opozitare gjeorgjiane e quajnë atë “ligji rus”, duke thënë se ai është modeluar sipas legjislacionit rus të përdorur për të synuar kundërshtarët e presidentit Vladimir Putin. Rusia mohon çdo rol në mbështetjen e projektligjit, të cilin e ka mbrojtur kundër kritikave perëndimore.
Klan News