Mediat në Amerikë shkruajnë se karvani me emigrantë, i pari për 2025-ën, po marshon drejt Shteteve të Bashkuara. Në këtë mënyrë 2 mijë persona synojnë që të kalojnë kufirin para se Donald Trump të marrë detyrën.

Grupe të tilla masive me emigrantë pritet që të shtohen para 20 Janarit, ditës së inaugurimit të Trump. Ky i fundit ka premtuar se do të godasë fort emigracionin e paligjshëm. Sipas mediave, grupi me emigrantë po lëviz aktualisht nga jugu i Meksikës.

Strehëzat në veri të Meksikës kanë nisur të shohin një numër të rritje të emigrantëve që duan të shkojnë në SHBA. Ndërkohë të premten, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo tha se nuk është dakord me planet e Trump për deportimet masive.

“Do t’i kërkojmë Shteteve të Bashkuara që nëse është e mundur të dërgojnë emigrantët që nuk janë nga Meksika, në shtetet e tyre të origjinës. Nëse jo mund të bashkëpunojmë në mekanizma të ndryshme. Do të ketë kohë për të folur me qeverinë amerikane nëse ndodhin këto deportime. Por ne do t’i presim emigrantët dhe do t’i presim mirë”, tha presidentja./tvklan.al