Presidenti i zgjedhur në SHBA, Donald Trump, i cili në 2020-ën u përpoq të bllokonte transferimin e pushtetit kur humbi, pretendoi të hënën se Presidenti në detyrë, Joe Biden, po bën “çfarë të mundet” për ta bërë tranzicionin e pushtetit në Shtëpinë e Bardhë, të vështirë.
“Biden po bën çfarë të mundet që ta bëjë tranzicionin sa më të vështirë të mundur”, tha ai duke përmendur disa urdhra ekzekutivë të dhënë prej presidentit. Ai premtoi se urdhrat do të rrëzohen shumë shpejt dhe se Amerika do të bëhet e madhe sërish, motoja e fushatave të tij.
Postimi i Trump në rrjetet sociale vjen në përvjetorin e katërt të sulmit të 6 Janarit 2021 kur mbështetësit e Trump u përpoqën të ndalonin certifikimin e zgjedhjeve pasi Trump humbi zgjedhjet e 2020.
Për transferimin e pushtetit, Trump foli edhe gjatë një interviste në një radio.
“Ata thonë, ne duam që të keni një tranzicion të qetë nga një parti në tjetrën, apo nga një qeveri. Epo, po e bëjnë shumë të vështirë. Po hedhin çdo gjë që munden për të na penguar”, tha ai.
Kujtojmë se Trump pritet që ta marrë detyrën më 20 Janar 2025, në atë që njihet si Inaugurimi Presidencial./tvklan.al